Shirku dhe llojet e tij

Shirku

Shirk do të thotë t’i bashkëshoqërosh Allahut shok dhe ortak në mënyrën e të besuarit, në vepra dhe adhurime. Shirkun mund ta quajmë në shqip idhujtari, paganizëm ose politeizëm dhe ai shfaqet në forma të ndryshme, që nga ato më të dukshmet e deri tek ato që nuk njihen mirë nga pjesa më e madhe e njerëzve. Shirku është mëkati më i madh që ekziston, sepse ai prek të drejtën unike të Allahut, që është njëshmëria e Tij në zotërim, plotfuqishmëri, krijim, sovranitet të plotë dhe në cilësitë absolute e të pakrahasueshme të Tij. Thënë ndryshe, shirku është vepra më e shëmtuar dhe padrejtësia më e madhe, sepse shirku nënkupton t’i dedikosh mangësi Allahut të Lartësuar, duke barazuar dikë tjetër me Të. Prandaj Allahu nuk e fal shirkun. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Vërtet Allahu nuk fal kur Atij i bëhet shirk (shoqërohet shok), por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë.” En-Nisa, 48. Kjo do të thotë se çdo njeri që vdes në kufër ose shirk, nuk do të përfitojë nga shefaati (amnistia) Ditën e Gjykimit, por do të jetë përgjithmonë në zjarr. Ndërsa gjynahet e tjera të mëdha janë në dorë të Allahut, i Cili mund të dënojë edhe për to, nëse nuk do t’i falë. Mirëpo, në këtë rast dënimi është i përkohshëm dhe vendi përfundimtar i mëkatarit do të jetë Xheneti.

Lloje të shirkut

Idhujtaria apo shirku, shfaqet në forma të shumta dhe të ndryshme, aq sa është e vështirë të përmblidhen të gjitha. Në çdo kohë dhe vend format e idhujtarisë marrin ngjyrime dhe trajta të llojllojshme. Këtu mund të përmendim disa më kryesoret, si p.sh.:

Të besosh se Zoti nuk është një dhe i vetëm, në çfarëdo lloj forme qoftë ky besim; Të besosh se Ai ka bashkëshorte ose fëmijë; Të adhurosh tjetër kënd veç Zotit, ose të përfshish në adhurim dhe në ndërmjetësim, mes teje dhe Zotit, dikë prej krijesave; Të therësh kurban në emër të tij, t’i lutesh atij, të shpresosh prej tij e t’i kërkosh ndihmë e shpëtim për gjëra që ka mundësi t’i bëjë vetëm Allahu; Të besosh në fuqi të mbinatyrshme të tjera, veç Zotit; Të besosh se njerëzit e mirë ose krijesa të ndryshme kanë pushtet mbi jetën, sëmundjen, shërimin, fatin dhe mbarësinë. Po ashtu, të besosh se ata mund të sjellin dëm ose dobi, duke u dhënë kështu atribute hyjnore. Nga kjo lind frika dhe dashuria. Pra, të kesh frikë dikë tjetër, veç Allahut, ose ta duash 18

atë si Zotin ose më shumë; Të besosh se disa njerëz dinë të fshehtën, të besosh fallxhorët dhe parashikuesit e së ardhmes; Të pranosh se mund të ketë gjykues më të mirë apo të ngjashëm me Zotin etj.

Të gjitha këto vepra e besime konsiderohen shirk i madh dhe të nxjerrin nga feja.

Shirku i vogël

Ashtu si kufri i vogël, shirk të vogël quajmë çdo mëkat që Sheriati Islam e ka përcaktuar të tillë. Pra, duke qenë se ai nuk bie ndesh drejtpërdrejtë me teuhidin, atëherë konsiderohet shirk i vogël dhe për rrjedhojë nuk të nxjerr nga feja. Shembuj të shirkut të vogël, që përmenden në hadithet profetike, janë: shtirja në adhurime të ndryshme dhe betimi në emrin e dikujt tjetër, veç Allahut. Shtirja në terminologjinë fetare quhet rija. Ajo është nga mëkatet me të rrezikshme, sepse kur njeriu shtiret, adhurimet dhe punët e tij nuk i bën me sinqeritet për hir të Allahut, por sillet si hipokrit. Pra, nëpërmjet shtirjes njeriu dëshiron ta shohin të tjerët, ta lavdërojnë dhe të flasin mirë për të. Ai kërkon që të jetë njeri i dëgjuar mes njerëzve. Kjo ia shkatërron ato punë, andaj Ditën e Gjykimit do të përjetojë nënçmim dhe poshtërim. Profeti Muhamed (alejhi ssalatu uesselam) shtirjen e ka quajtur: “Shirku i fshehtë”, sepse nuk është i dukshëm si punët e tjera, por fshihet thellë në brendësinë e zemrës, prandaj shumë njerëz nuk e kuptojnë kur e kryejnë atë.

Duke qenë se iman do të thotë të besosh me zemër, ta shprehësh atë me gojë dhe të punosh me vepra, atëherë edhe kufri e shirku nuk bëhen vetëm me zemër, por edhe me gojë dhe me vepra. P.sh.: ai që tallet me fenë, shan Zotin, shan Profetët ose Kuranin, nuk shihet nëse e ka pasur qëllim me zemër ose jo. Kjo gjë konsiderohet kufër i madh, sepse bie ndesh drejtpërdrejtë me teuhidin. Po ashtu, edhe kur i bie në sexhde një idhulli ose një krijese çfarëdo, nuk pyetet në se e ka bërë këtë vepër me zemër ose jo, me qëllim apo jo. Kjo vepër konsiderohet shirk, sepse është një vepër që i dedikohet vetëm Allahut.

Nifaku (dyfytyrësia)

Teuhidin e cenon edhe ajo që quhet në gjuhën e sheriatit “Nifak”. Nifak do të thotë dyfytyrësi në veprat e imanit dhe Islamit. Pra, kjo ndodh kur njeriu shfaq besimin, por në zemër fsheh mohimin. Ky njeri quhet munafik (hipokrit në fe). Munafiku mund ta shfaqë hipokrizinë e tij në forma të 19

ndryshme, siç janë: Përgënjeshtrimi i Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam) dhe fesë Islame, qoftë dhe pjesërisht; Urrejtja ndaj Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam), ose fesë islame, qoftë dhe pjesërisht; Luftimi i fesë dhe muslimanëve; Gëzimi dhe kënaqësia kur muslimanët pësojnë disfatë etj. Munafiku është më i rrezikshëm se një kafir (jobesimtar) i thjeshtë, sepse ai shfaq besim dhe dashuri për Islamin dhe muslimanët, por i lufton ata sa herë që mundet. Për këtë arsye munafiku do të përjetojë dënimin më të ashpër në zjarrin e Xhehenemit. Allahu i Madhëruar thotë: “Pa dyshim që munafikët (hipokritët) do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t’u gjesh atyre ndihmës.” En-Nisa, 145.

Është me rëndësi të dimë se jo çdo njeri meriton të quhet munafik, për një vepër që në pamje të parë duket si nifak (dyfytyrësi në fe), sepse qëllimin e tij në zemër e di vetëm Allahu. Për shembull, vrasja e një besimtari mund të jetë për arsye nifaku, ose për arsye të tjera të rëndomta. Duke qenë se ne nuk e zbulojmë dot qëllimin e vrasësit në zemrën e tij, atëherë ajo vepër konsiderohet në syrin tonë krim dhe mëkat i madh, por jo nifak.

 

Shkëputje nga libri “Udhërrëfyesi Islam” me autor: Mustafa Tërniqi

Nuk lejohet ripublikimi i këtij artikulli pa leje nga FVLHSH ose vet autori.

Publikuar me leje paraprake nga Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë: www.lidhjahoxhallareve.com

Burimi eletronik: www.FejaeVertete.com