Teuhidi

Besimi në një Zot të vetëm dhe pohimi se ky Zot duhet të adhurohet, i Vetëm e pa ortak, quhet Teuhid. Teuhidi shprehet me fjalën “La Ilahe il-lall-llah Muhammedun resulull-llah”, që do të thotë: “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Allahut.” Kjo quhet “Kelimetut-Teuhid”, (Fjala e Teuhidit). Teuhidi mund të shprehet ndryshe dhe me atë që quhet “Shehadeti” (Fjala e dëshmisë), e cila është: “Esh-hedu en la Ilahe il-lall-llah ue esh-hedu enne Muhammeden abduhu ue resuluhu.” dhe që do të thotë: “Dëshmoj se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Allahut.”

Nga kjo kuptojmë se besimtar i vërtetë është ai që e shfaq dhe e dëshmon besimin e tij, duke pohuar teuhidin, dhe jo ai që vetëm ndjen me zemër dhe pohon me mendje besimin. Allahu i Madhëruar, ashtu siç të dha mendjen që të arsyetosh dhe zemrën që të ndjesh, ashtu të dha gojën që të shqiptosh dhe gjymtyrët që të veprosh. Pra, besimtar është ai që beson me të gjithë qenien e tij, me mendje dhe me fjalë, me trup dhe me shpirt. Prandaj dhe përkufizimi i imanit (besimit) në fenë Islame është: “Besim me zemër, shqiptim me gojë dhe vërtetim me vepra. Imani shtohet e forcohet me punë të mira dhe pakësohet e dobësohet me mëkate.” Për këtë arsye imani ndryshon nga një besimtar te tjetri.

Teuhidi është detyra e parë dhe më kryesore, nëpërmjet së cilës njeriu futet në Islam. Kur njeriu e pranon teuhidin, sipas kushteve që përmendëm më sipër, ka hyrë në Islam dhe ai quhet musliman. Islam do të thotë t’i dorëzohesh dhe nënshtrohesh tërësisht Allahut, duke pranuar bindjen e plotë ndaj Tij dhe duke u larguar tërësisht nga çdo gjë që e cenon teuhidin. Ky obligim vazhdon me njeriun derisa të vdesë. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Nuk i krijova xhindet dhe njerëzit për gjë tjetër, por vetëm që të më adhurojnë Mua.” Edharijatë 56. Në një verset tjetër Ai thotë: “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja.” El-Hixhr, 99.

Shumë njerëz mendojnë se kuptimi i fjalës “Teuhid” është: “S’ka Zot tjetër veç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Allahut.” Ky nuk është kuptimi i vërtetë i fjalës “Teuhid”, si nga ana gjuhësore (në arabisht), por edhe sipas argumenteve të shumta të kësaj teme. Ky kuptim i ngushtë nuk është i mjaftueshëm, sepse me të pohohet ekzistenca e një Zoti të vetëm, por jo domosdoshmërisht adhurimi i Tij. Ndërsa pohimi se “Nuk ka të 10

adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut”, është kuptimi i vërtetë, sepse kjo fjalë pohon besimin në ekzistencën e një Zoti të vetëm, që është Allahu dhe mohon besimin në zotat e tjerë. Në të njëjtën kohë pohon se ky Zot duhet të adhurohet, i vetëm, pa ortak dhe mohon adhurimin e çdo qenie tjetër që pretendohet si Zot. Ajeti 56 i Sures Edh- Dharijat, që përmendëm më sipër, na tregon qartë se shkaku i ekzistencës sonë në këtë botë është njohja e Zotit dhe adhurimi i Tij dhe jo thjesht besimi, duke lënë mënjanë adhurimin. Kjo ishte dhe thirrja e të gjithë Profetëve që dërgoi Allahu i Madhëruar te popujt e tyre. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangiuni idhujve.” En-Nahl, 36.

Me fjalë të tjera, teuhidi përmban gjerësisht besimin dhe njësimin e Allahut të Madhëruar në veprat e Tij, që quhet: Teuhidi Rububijjeh, ku besimtari beson se Allahu është Krijuesi i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Ai është Sunduesi, Rregulluesi, Furnizuesi. Ai jep jetën dhe vdekjen. Ai sjell dëmin dhe dobinë, dërgon dhe ndalon mirësinë, lëshon shiun dhe sjell thatësirën. Ai përcakton gjërat me diturinë e Tij dhe çdo gjë ndodh dhe zbatohet me Urtësinë e Tij. Çdo vepër që i përket Madhërisë së Allahut, Ai e bën vetë, pa pasur shok, as ortak e as rival.

Faktin që Allahu është Krijuesi i kësaj bote dhe i gjithçkaje në të dhe se Ai është Sunduesi, Rregulluesi, Furnizuesi etj., e besonin edhe idhujtarët në kohën e injorancës, para Islamit. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Nëse do t’i pyesësh ata: “Kush i krijoi qiejt dhe tokën?, me siguri ata do të thonë: “Allahu!” Lukman, 25. Në një ajet tjetër Ai thotë: “Thuaj: “E kujt është Toka dhe gjithçka që gjendet në të, nëse e dini?” Ata do të thonë: “Të Allahut!” E ti thuaju: “Vallë, a nuk po ia vini veshin?” Thuaj: “Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Fronit Madhështor?” Ata do të thonë: “Allahu!” E ti thuaju: “Vallë, a nuk keni frikë ju?” Thuaj: “Kush është Ai që ka në dorë pushtetin mbi çdo gjë, i Cili mbron, por prej Tij nuk mund të mbrohet askush, nëse e dini?” Ata thonë: “Allahu.” E ti thuaju: “Atëherë, përse magjepseni”?! El-Mu’minun, 85-89.

Problemi i tyre në atë kohë, por edhe i shumë njerëzve sot, qëndron te pjesa tjetër e teuhidit, pra në adhurimin e Allahut, pasi ata i shoqëronin Atij shokë dhe ortakë në adhurim. Pjesë e teuhidit, pra, është dhe njësimi i Allahut në adhurim, që quhet: Teuhidi Uluhijje, ku besimtari duhet të besojë se Allahu është i vetmi që meriton të adhurohet. Vetëm Atij duhet t’i lutet dhe vetëm Atij duhet t’i kërkojë ndihmë. Tek Ai mbështetet, nga Ai shpreson dhe vetëm prej Tij duhet të ketë frikë, duke mohuar dhe përgënjeshtruar të gjitha qeniet e tjera që pretendohen si zota. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë, që të mos adhuroni dikë tjetër 11

përveç Tij.” El-Isra, 23.

Ndërsa Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Kur të lutesh, lutju veç Zotit, e kur të kërkosh ndihmë, kërkoi vetëm Allahut.” Transmetoi Tirmidhiu. Të gjithë këtë që përmendëm e përmbledh ajeti i pestë i sures El-Fatiha, ku Allahu i Gjithëdijshëm dhe i Urtë na mëson si ta lusim Atë duke thënë: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” El-Fatiha, 5.

 

Shkëputje nga libri “Udhërrëfyesi Islam” me autor: Mustafa Tërniqi

Nuk lejohet ripublikimi i këtij artikulli pa leje nga FVLHSH ose vet autori.

Publikuar me leje paraprake nga Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë: www.lidhjahoxhallareve.com

Burimi eletronik: www.FejaeVertete.com