I kam tri pyetje…?

Pyetja:

  1. Desha t’ju pyes se përderisa falemi , a thuhen ato pjesët: “Allahume sali ala Muhamedin…” edhe pjesën tjetër që lutemi për familjen e Ibrahimit… Ata a janë në xhenet? Nëse po, atëherë pse duhet të lutemi për ta, që ata të shkojnë në xhenet, që t’i mbrojë Zoti?
  2. 2. Kur themi “la i lahe ilAllah”, a duhet të shtojmë edhe “Muhameden resulullah”? Shtrohet pyetja: Muhamedi alejhi selam, kur ka thënë për shembull “Zoti është një”, a ka thënë për veten se “Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij”?
  3. 3. Ata që bëjnë pjesë në sekte, kanë për të dhënë përgjegjësi përpara Zotit në Ditën e Gjykimit. Kam frikë se nëse falem gabimisht, mos jam sekt në të falur e jo tamam si duhet.

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

1. Thënia e salvateve pas teshehudit në namaz është një nga ritet e vërtetuara me hadithe të shumta dhe të sakta. Prandaj në medhhebin hanefi dhe maliki, salavatet janë sunet në uljen e fundit, ndërsa te të tjerët janë farz. Kurse pse bëhet lutje për Muhamedin salallahu alejhi ue selem dhe për familjen e tij, pastaj për Ibrahimin alejhi selam dhe për familjen e tij është shumë e thjeshtë, pasi lutja nuk nënkupton vetëm futje në xhenet, por ka mundësi ngritje të shkallëve në xhenet, shtim të mëshirës, të faljes dhe të mirësive përgjithësisht.

2. Fjala “La Ilahe Ila Allah Muhamedun Resulullah” (Nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguar i Tij) ose “Muhamedun Abduhu ve Resuluhu” (Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij), është dëshmi që me pranimin dhe thënien e tij njeriu bëhet besimtar. Dhe këtë thënie e kanë dëshmuar dhe e dëshmojnë të gjithë muslimanët, gjithashtu këtë dëshmi e ka shqiptuar kështu edhe vetë i Dërguari Muhamed, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të.

3. Në lidhje me pyetjen e tretë, fillimisht themi se termi sekt nuk ka të bëjë me mënyrën e të falurit. Me fjalë të tjera, dallimi në formën e të falurit mes muslimanëve nuk është pikë ndarëse në mes Ehli Sunetit dhe grupimeve të tjera të devijuara, por dallimi në mes tyre është në besim dhe në metodologjinë e nxjerrjes së argumenteve nga citatet sheriatike dhe çfarë konsiderohet burim i sheriatit. Vëlla i nderuar, pa u zgjeruar themi se Islami është i qartë dhe kuptimi i përmbajtjes së mësimeve është i thjeshtë, pa komplikime dhe pa fshehtësi. Nëse njeriu e realizon besimin e tij në Allahun e Lartësuar duke qenë i nënshtruar vetëm ndaj Tij dhe duke mos i shoqëruar Atij dikë në adhurime (pra, pa e përzier besimin e tij me shirk), atëherë ai do të jetë i shpëtuar. Njeriu i cili e kryen faljen duke e zbatuar këtë objektiv (e kryen faljen vetëm për Allahu e Lartësuar) dhe mundohet t`i pasojë mësimet e sakta të Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, atëherë atë njeri Allahu i Plotfuqishëm nuk do ta humbë.

Alaudin Abazi/klubikulturor.com/
30.11.2008