Çfarë e cenon (dëmton) Teuhidin

Çfarë e cenon (dëmton) Teuhidin

Teuhidi dëmtohet kur njeriu bën kufër ose shirk.
Kufër, do të thotë të biesh ndesh me bazat e teuhidit duke braktisur imanin (besimin), ose duke mohuar apo përgënjeshtruar njërin prej kushteve të imanit, ose njërën prej shtyllave të Islamit. Allahu në Kuran thotë: “Kushdo që mohon besimin, veprat e tij do të zhvlerësohen dhe në jetën tjetër do të jetë i dështuar.” El-Maide, 5. Nga kjo kuptojmë se kufri i zhvlerëson të gjitha veprat e mira dhe e fut njeriun përjetësisht në zjarr.
Kufër quhet edhe kur njeriu mohon një kategori të veçantë brenda njërit prej kushteve të imanit, apo njërës prej shtyllave të Islamit. Për shembull, beson të gjithë melekët përveç Xhibrilit, ose beson në mbarë librat hyjnorë përveç Zeburit, që i zbriti Davudit, ose beson në të gjithë Profetët, por mohon Isain. E njëjta gjë ndodh edhe me shtyllat e Islamit, kur mohohet njëra shtyllë e tij, qoftë dhe pjesërisht. Të gjitha këto gjëra që u përmendën e nxjerrin njeriun nga Islami dhe, për pasojë, zhvlerësohen punët e mira dhe ai nuk quhet më musliman, por jobesimtar, mohues (kafir), për aq kohë sa ai nuk pendohet dhe nuk rinovon besimin e tij, sipas kushteve të Teuhidit.
Sidoqoftë, veprat që Sheriati i ka emërtuar si kufër, jo gjithmonë të nxjerrin nga Islami, sepse njeriu mund të mos ketë njohuri të mjaftueshme për çdo hollësi. Pra, jo çdo herë kur njeriu bie në kufër konsiderohet domosdoshmërish jobesimtar (kafir). Kufri i mirëfilltë, i cili të nxjerr nga feja, është atëherë kur mohon ose përgënjeshtron një argument të Sheriatit, që është përmendur drejtpërdrejtë në ajete Kuranore, ose hadithet autentike të Profetit dhe që njihen domosdoshmërish nga të gjithë, d.m.th. dihen nga të gjithë njerëzit, të mëdhenj e të vegjël, të dijshëm e të padijshëm, dhe s’ka mundësi të injorohet. Vetëm në këtë rast njeriu nuk mund të justifikohet më për kufrin e tij.
Kufri i vogël. Kufër të vogël quajmë çdo mëkat që Sheriati Islam e ka përcaktuar të tillë. Pra, duke qenë se nuk bie ndesh drejtpërdrejtë me teuhidin, atëherë konsiderohet kufër i vogël dhe për rrjedhojë nuk të nxjerr nga feja. Shembuj të kufrit të vogël janë: vrasja e besimtarit, vetëvrasja, polemikat në çështjet e Kuranit, mohimi i atësisë, tradhtia, mosmbajtja e premtimit, të vajtuarit me kujë, goditja dhe shqyerja e rrobave në rast vdekjeje, sharja e farefisit të një personi, mosgjykimi me ligjin e Allahut, mosfalënderimi për mirësitë e Allahut etj.
16 Nëse dikush beson se të gjitha këto gjynahe të mëdha, por dhe të tjera që në Sheriat njihen si kufër i vogël, nuk janë të ndaluara, atëherë kjo vepër konsiderohet kufër i madh që të nxjerr nga feja. Për shembull, kur dikush nuk gjykon me ligjin e Allahut, duke u justifikuar me gjëra të ndryshme dhe pohon se ligji Islam është i vërteti dhe i duhuri, atëherë ajo vepër konsiderohet si kufër i vogël. Ndërsa ai që nuk gjykon me ligjin e Allahut dhe nuk e pranon atë si ligjin më të mirë e më të përshtatshëm, ose që beson se ligji Islam nuk vlen më për kohën e sotme e të tjera si këto, ka kryer një vepër që konsiderohet kufër i madh që të nxjerr nga feja.

 

Shkëputje nga libri “Udhërrëfyesi Islam” me autor: Mustafa Tërniqi

Nuk lejohet ripublikimi i këtij artikulli pa leje nga FVLHSH ose vet autori.

Publikuar me leje paraprake nga Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë: www.lidhjahoxhallareve.com

Burimi eletronik: www.FejaeVertete.com