Pritja e imam Mehdiut

Pritja e imam Mehdiut
 
Premtim apo besim
 
Selman el Aude
 
Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij.
 
Para një kohe më shkroi një shok duke më pyetur për Mehdiun dhe vlerësimin tim për atë që po qarkullonte në internet sa i përket pamjes së tij, shenjave që paralajmërojnë ardhjen e tij dhe ëndrrave që disa njerëz i shohin për të. Ai gjithashtu më nxiti ta shpjegoj temën në detaje.
 
Unë iu përgjigja këtij vëllai se ajo që po qarkullonte për Mehdiun është e pabazë dhe nuk përkon me realitetin. Këto informata nuk janë më tepër se sa thashetheme, dëshira të kota për ata të cilët kanë rënë në dëshpërim.
 
Unë i premtova se do të merrem me këtë temë, meqë ajo ka të bëjë me një situatë të vështirë, të cilën Umeti Islam do ta kalojë. Me qëllim që t’i qasemi kësaj teme – pritjes së Mehdiut – së pari u angazhova me studimin se si përdoret folja “pres” në Kur’an.
 
Unë besoj se referimi në Kur’an është qasje e mençur, pasi që ai është Libri, i cili përmban udhëzim dhe dritë për të gjitha çështjet e tilla, kurdo dhe sido që ndodhin. Unë e shikova çdo ajet të Kur’anit që e përmbante termin “pres” ose ndonjë sinonim të këtij termi dhe e zbulova se të gjitha këto ajete mund të klasifikohen në tri kategori.
 
Kategoria e parë:
 
Ajetet, të cilat i kërcënojnë jobesimtarët që ta presin dënimin e tyre në botën tjetër.
 
I Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) u thoshte jobesimtarëve të presin derisa t’u vjen ndëshkimi, siç përmendet në ajetet vijuese në Kur’an:
 
“Ata thonë: E kur do të jetë ai ngadhënjim (gjykimi i Zotit), nëse jeni të drejtë çka thoni. Thuaj: Ditën e Kijametit, atyre që kanë qenë jobesimtarë, nuk u bën dobi besimi e as nuk u jepet afat. Andaj, ti largohu prej tyre dhe prit, edhe ata janë duke pritur.” (Sexhde, 28-30)
 
“Dita e ngadhënjimit” është – Allahu e di më së miri – dita e ringjalljes, meqë ajo që përshkruhet si dita që “atyre që kanë qenë jobesimtarë, nuk u bën dobi besimi e as nuk u jepet afat”. I Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) urdhërohet të pres. Ajo që duhet të pres është rezultati final dhe përmbushja e premtimit të ringjalljes, gjykimit dhe shpërblimit që po ashtu i pret jobesimtarët.
 
Një ajet i ngjashëm thotë: “A mos janë duke pritur tjetër ata (pas këtyre fakteve) vetëm t’ju vijnë engjëjt (t’ua marrin shpirtin), të vijë Zoti yt (urdhri për shkatërrim) ose të vijnë disa nga shenjat e Zotit tënd, (në) ditën kur vijnë disa shenja të Zotit tënd, asnjë njeriu nuk i vlen besimi i Tij nëse nuk ka besuar më parë ose nuk ka bërë në besimin e tij kurrfarë të mire. Thuaj: Pritni, edhe ne jemi duke pritur!” (En’amë, 158)
 
Do të ishte e saktë të kuptojmë se shenjat që përmenden këtu aludojnë në lindjen e diellit nga perëndimi, sepse në atë ditë, asnjë njeriu nuk i vlen besimi i tij nëse nuk ka besuar më parë.
 
Gjithashtu mund të jetë e saktë se çka nënkuptohet këtu gjithashtu është një lloj i veçantë i shenjave prej Allahut dhe për këtë arsye, ajeti i referohet “disa shenjave të Zotit tënd”. Ka shenja tjera të Allahut, për shembull agonia e vdekjes, pasi që Allahu e pranon pendimin nga njeriu para se t’i vjen agonia e vdekjes, por jo mbasandej
 
Si rrjedhim, ata e presin Çastin e Madh. Pasi të paraqiten shenjat e tij, si lindja e diellit nga perëndimi askujt nuk i vlen besimi nëse nuk ka besuar deri në atë moment. Ata munden gjithashtu të jenë duke pritur çastin më të vogël, i cili është vdekja, sepse kur të vdes njeriu, atij i ka ardhur dita e tij. Shenjat e kësaj dite janë agonia e vdekjes dhe pamja e engjëjve, të cilët vijnë për t’ia marrë shpirtin. Në atë çast nuk i vlen njeriut kthimi në besim. Për këtë arsye ajeti thirr për punë, besim dhe reformë para se të të vjen fundi – pa marrë parasysh se për cilin fund bëhet fjalë – kur gjërat që i përmendëm, më nuk do të jenë të mundshme. Kur Allahu thotë: “… Asnjë njeriu nuk i vlen besimi i Tij nëse nuk ka besuar më parë ose nuk ka bërë në besimin e tij kurrfarë të mire…”, Ai i referohet kësaj kohe të veçantë, duke inkurajuar njerëzit të bëjnë të mira në besimin e tyre para se të bëhet shumë vonë.
 
Kuptimi i foljes “pritni” këtu nuk është që ju t’i mbështetni faqet në duar dhe të pritni se çfarë do të ndodhë. Kuptimi këtu është të luftojmë dhe të përpiqemi të kapërcejmë diçka që frikohemi se do të ndodhë.
 
Kategoria e dytë:
 
Ajetet që i kërcënojnë jobesimtarët që ta presin dënimin e tyre në këtë botë.
 
Nganjëherë, jobesimtarët kërkojnë që ta shpejtojnë dënimin si mënyrë për të shprehur dyshimin e tyre dhe mungesën e brengës lidhur me të. Kjo mund të shihet në tregimin për të Dërguarin Hudë (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) dhe popullin e tij. Ata thanë: “A na erdhe (të na frikësosh) që ta adhurojmë vetëm Allahun e ta braktisim atë çka adhuronin prindërit tanë? Nëse je i vërtetë (çka thua) sillna atë që na premton (kërcënohesh)”. (Hudi) Tha: “Juve ju gjeti dënimi dhe përbuzja nga Zoti juaj. A më polemizoni mua për emra (të idhujve) që i emëruat ju dhe prindërit tuaj, e që për te Allahu nuk shpalli kurrfarë argumenti? Pritni pra (dënimin), edhe unë së bashku me ju jam duke pritur.” (A’rafë, 70-71)
 
Ata njerëz lypën dënimin, duke kërkuar që ai të shpejtohej dhe ata u urdhëruan që të presin.
 
Situata e njëjtë mund të shihet në ajetin vijues lidhur me popullin e Junusit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!): “A janë duke pritur tjetër (fat) pos ditët (e zeza) si të atyre që ekzistonin para tyre? Thuaj: Pritni, pra, se edhe unë bashkë me ju po pres!” (Junus, 102)
 
“Ditët (e zeza) si të atyre që ekzistonin para tyre” i referohen dënimeve dhe vuajtjeve që u kishin zbritur atyre në këtë botë:
 
Gjithashtu Allahu thotë në suren Hudë: “E atyre që nuk besojnë thuaju: Veproni sa të mundeni në atë të tuajën, edhe ne jemi duke vepruar. Ju pritni (ç’do të na gjejë neve), edhe ne jemi duke pritur (se ç’do t’ju gjejë juve).” (Hudë, 121-122)
 
Shikoni se si të priturit dhe të vepruarit janë të vendosura bashkë në ajet. Jobesimtarët sfidohen në këtë mënyrë: “Veproni sa të mundeni në atë të tuajën, edhe ne jemi duke vepruar” dhe pritni se çfarë Allahu do të vendos në mes nesh.
 
Allahu thotë diku tjetër: “…Duroni deri sa të gjykojë mes nesh Allahu, e Ai është gjykatësi më i mirë.” (A’rafë, 87)
 
Allahu po ashtu thotë: “Thuaj: Pritni, se edhe unë do të pres me ju.” (Tur, 31)
 
Kjo është pritja që dënimi i Allahut të zbres mbi jobesimtarët në këtë botë.
 
Kategoria e tretë:
 
Ajetet që i referohen pritjes për zbritjen e ndonjë shenje nga Allahu.
 
Jobesimtarët kishin zakon të kërkonin nga i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) që t’u sillte një shenjë nga Allahu. Ata dëshironin që mali Safa të shndërrohej në ari ose të binte një pjesë e qiellit mbi ta. I Dërguari i Allahut u thoshte atë që Allahu e kishte urdhëruar të thotë: “E fshehta është vetëm e Allahut”. Kjo vjen në Kur’an në suren Junus: “E fshehta është (çështje) vetëm e Allahut (Ai sjell mrekulli). Prandaj, ju pritni se edhe unë së bashku me ju po pres!” (Junus, 20)
 
Nga këto tri lloje të ajeteve ne mund të marrim mësime të rëndësishme:
 
1. Çështjet e gajbit (të fshehtës) duhet t’i lihen Allahut. Për këtë arsye Ai tha: “E fshehta është (çështje) vetëm e Allahut”. Zbritja e zemërimit të Allahut dhe dita e ringjalljes janë çështje të gajbit të cilën ai nuk ia zbulon askujt.
 
Allahu thotë: “S’ka dyshim se momenti (kijameti) do të vijë patjetër, Unë gati e kam fshehur atë; (do të vijë) për t’u shpërblyer secili njeri për atë që ka bërë.” (Ta Ha, 15)
 
Gajbi është vetëm te Allahu. Ai nuk ia zbulon atë askujt me “përjashtim të ndonjë të Dërguari që Ai do.” (Xhinn, 27)
 
Ekzistojnë disa çështje të gajbit, të cilat Ai madje nuk ua zbulon as engjëjve dhe as të dërguarve. Allahu e mbanë atë plotësisht për Vete. Askujt nuk i lejohet t’i hulumtojë këto çështje në çfarëdo mënyre. Njeriu nganjëherë mund ta gjejë në vetvete një mendim të inspiruar dhe ta interpretojë si diçka, por ai kurrë nuk duhet t’i besojë asaj me bindje. Ai ndoshta mund të ketë një pamje që parashikon diçka të mirë për muslimanët, ose diçka të tmerrshme për jobesimtarët, por megjithatë, ajo mbetet spekulim.
 
Kështu duket të ketë qenë rasti me të Dërguarin Jusuf (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!). Allahu thotë: “(Jusufi) i tha atij, për të cilin besonte se është i shpëtuar…” (Jusuf, 42)
 
Edhe pse ai ishte i Dërguar, të cilit i vinte shpallja nga Allahu, ai nuk fliste me siguri në vete për interpretimin e ëndrrës së tij, por ai vetëm supozonte.
 
Në të njëjtën mënyrë kur erdhi një njeri tek i Dërguari, Muhammedi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), dhe i tregoi për ëndrrën që e kishte parë, Ebu Bekri e interpretoi dhe pastaj e pyeti të Dërguarin (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!): “O i Dërguar i Allahut, betohem se jeni si baba im. A ia qëllova apo gabova? I Dërguari i Allahut (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) iu përgjigj: “Ju ia qëlluat një pjese dhe nuk ia qëlluat pjesës tjetër”. Ebu Bekri tha: “Betohem në Allahun, më informo për atë që nuk ia qëllova”. I Dërguari i Allahut u përgjigj: “Mos u beto!”[1]
 
Pritjet, parashikimet, spekulimet dhe shpresat kanë fushë veprimi të gjerë, por nuk i ofrojnë njeriut kurrfarë sigurie kur ka të bëjë me çështjen e gajbit. Këtë e themi për arsyeje se ajo për çfarë po presim është diçka që do të ndodhë vetëm në të ardhmen. Allahu thotë: “E fshehta është (çështje) vetëm e Allahut.” (Junus, 20)
 
2. Allahu nuk i ka dhënë asnjë qenie njerëzore, madje edhe të dërguarve qasje në dënimet që i presin robërit e Tij. Për këtë arsyeje Allahu i drejtohet të Dërguarit të Tij në këtë mënyrë: “Ty nuk të takon asgjë rreth çështjes se a do t’ua pranojë Ai pendimin apo do t’i dënojë ata, në të vërtetë ata janë zullumqarë.” (Ali Imran, 128)
 
“Nëse ta bëjmë të mundshme të shohësh diçka nga (dënimi) që ua premtuan atyre (mirë), ose ta marrim shpirtin ty (kurse ti nuk sheh gjë), e ardhmja e tyre është vetëm te Ne. Allahu është dëshmues i asaj që punojnë.” (Junus, 46)
 
Këto ajete tregojnë faktin se ato janë çështje vetëm të Allahut. Njerëzit duhet t’i nënshtrohen dhe ta pranojnë urdhrin e Allahut si dhe vullnetin dhe dëshirën e tij. Njerëzit nuk duhet të gjurmojnë në çështjet që nuk kanë të bëjnë me ta. Këto ajete tregojnë se ata njerëz që kërkojnë shenja duhet të informohen se gjërat e tilla janë thjesht të Allahut dhe se asnjë krijesë nuk ka hise në to.
 
3. Ne jemi të inkurajuar që të punojmë, t’i drejtojmë gjërat dhe të nxitojmë në projektet tona para se të na vijë fundi, qoftë fundi i vdekjes ose dita e ringjalljes. Nuk kërkohet nga ne që vetëm të presim. Nga ne kërkohet që të angazhohemi në punë të frytshme. Ne duhet ta bazojmë punën tonë në shkaqet e dhëna nga mësimet islame, si dhe shkaqet natyrore të parashtruara nga Allahu në krijimin e Tij.
 
Ne nuk gjejmë asnjë tekst në Kur’an ose në traditën e të Dërguarit të Allahut, Muhammedit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), i cili na vë në një gjendje pritje dhe parapërgatitje për diçka, madje as për Ditën e Kijametit. Çdo musliman duhet të besojë në Ditën e Fundit dhe ta dijë se ajo po vjen. Megjithatë, nga ne nuk kërkohet të presim në përgatitje për të ose të kërkojmë që ta shpejtojmë atë. Transmeton Enes bin Malik se i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Nëse vjen Kjiameti ndërsa dikush prej jush ka në dorë një fidan të palmës së hurmave për ta mbjellë, atëherë ai duhet të vazhdojë ta mbjellë atë para se të ngritët nga vendi i tij, nëse ka mundësi.”[2]
 
Vini re se ai nuk tha: ”dhe nëse dikush nga ju është duke u falur ai duhet ta plotësojë namazin e tij…”, por e përmendi një çështje të kësaj bote “…nëse dikush nga ju e ka në dorë një fidan të palmës së hurmave…” dhe më pas shtoi se ai nuk duhet të ngritët derisa ta mbarojë atë që po bënte. Puna e kësaj bote bekohet nëse ajo bëhet me qëllim të mirë. Bile edhe më shumë nëse u sjellë dobi të tjerëve. Sikur ndihma ndaj të shkelurit ose të dobëtit ose shfaqja e mirësisë dhe mëshirës ndaj fëmijëve apo dhënia e sadakasë ndaj të nevojshmëve dhe të uriturve. Sa (shumë) do të shpërblehet dhe bekohet puna e njeriut nëse ajo është për të mirën e fesë? Sa (shumë) do të shpërblehet puna e një njeriu që bëhet shkak të udhëzohet një person, i cili ka qenë i devijuar ose në mosbesim? Sa (shumë) do të shpërblehet ai që e mëson një musliman tjetër, i cili është injorant për fenë e tij, ose pajton në mes të muslimanëve, të cilët janë të përçarë ose e reformon një mëkatarë?
 
Disa njerëz jetojnë në pritje të këtyre ngjarjeve dhe kjo inspiron brenda tyre një lloj të përtacisë dhe plogështisë, e cila nuk prodhon asgjë me përjashtim të heshtjes dhe aktivitetit të ligështuar.
 
Çështja në fjalë është nxitja për punë të zellshme dhe serioze. Vlera e punës është një nga vlerat më të rëndësishme që Islami i avancon dhe i ngulitë në zemrat e besimtarëve.
 
Ekziston një ngjarje, e cila shënohet në hadith, që ka rëndësi të madhe në diskutimin tonë. Jasir bin Xhabir transmeton se frynte një erë e madhe në Kufe. Erdhi një njeri, i cili nuk kishte diçka më të mirë se sa të thoshte: “O Abdullah bin Mes’ud, ka ardhur kijameti.”
 
Abdullah bin Mes’udi që ishte i mbështetur, u ul drejt. Kjo ishte shenjë e interesimit të tij, por ajo mund të ishte po ashtu indikacion i zemërimit dhe mospajtimit. Ai tha: “Kijameti nuk vjen derisa të mos ndahet trashëgimia, dhe pranimi i plaçkave të luftës të mos jetë një shkak i lumturisë.” Pastaj ai bëri me dorë në drejtim të Sirisë dhe i përmendi disa prej shenjave kryesore që duhet të ndodhin para kijametit.[3]
 
Ibën Mes’udi i dënoi përfundimet e nxituara të njeriut tjetër dhe vlerësimin e keq të ngjarjeve. Për këtë arsyeje Ibën Mes’udi ishte erudit dhe mendjemprehtë dhe ai e kishte marrë diturinë e tij drejtpërdrejt nga i Dërguari i Allahut, Muhammedi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!). Ai e bëri të qartë se çasti (i kijametit) nuk do të vinte derisa të mos kenë ndodhur shenjat për të cilat na ka lajmëruar i Dërguari i Allahut, Muhammedi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!).
 
Kapitulli i parë
 
Çfarë transmetohet për Mehdiun
 
Ka shumë hadithe për Mehdiun, ndoshta më tepër se njëqind. Disa nga ato janë të shpikura, disa të dobëta, të tjerat janë të mira. Madje mund të gjenden disa hadithe që e arrijnë shkallën e haditheve autentike, por ato janë pak.
 
Një hadith është nga Ali bin Ebu Talib, i cili transmeton se i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Mehdiu është prej nesh, prej ehlu bejtit. Allahu do ta përgatitë atë në një natë.”[4] Disa dijetarë kanë thënë se hadithi është i mirë, por zinxhiri i transmetuesve është i dobët, sepse ai përmban Jasin bin Shejban el-‘Ijli. Buhariu e shpallë atë si të dyshimtë. Ebu Zur’a dhe Ibën Mein thonë se nuk ka asgjë të keqe lidhur me të.
 
Gjenden tri hadithe për Mehdiun, që transmetohen në autoritetin e Ebu Seid Huderiut. Të gjitha ato janë transmetuar nga Hakimi. Disa nga ato janë transmetuar po ashtu nga Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibën Maxhe, Ahmedi dhe të tjerë.
 
Një nga këto hadithe është: “Mehdiu do të vjen nga gjeneratat e fundit të Umetit Tim.”[5] Hakimi e shpallë këtë hadith autentik dhe Dhehebiu pajtohet me të. Ka disa mospajtime lidhur me zinxhirin e transmetuesve.
 
Një hadith tjetër është: “Mehdiu është prej Meje, me ballë të gjerë, me hundë të zgjatur dhe të lakuar. Do të vendos në tokë drejtësi dhe mirëqenie pasi që ishte e mbushur me padrejtësi dhe tirani. Do të udhëheq shtatë vjet.”[6]
 
Pastaj gjendet hadithi që transmetohet në autoritetin e Thevbanit se i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Nëse i shihni flamujt e zi duke ardhur në drejtim të Horasanit, atëherë shkoni te ta, madje edhe nëse ju duhet të zvarriteni, sepse në mesin e tyre do të jetë kalifi i muslimanëve, Mehdiu.”[7] Të gjithë zinxhirët e transmetimit për këtë hadith janë të dobëta dhe jo të vërteta, ndonëse disa njerëz kanë qenë shumë të butë lidhur me këtë dhe e kanë shpallur hadithin autentik, për shkak se ka shumë zinxhirë të transmetimit.
 
Disa njerëz e përdorën këtë hadith për të mbështetur thënien e tyre se Mehdiu është nga familja e Abbasit dhe se Mehdiu është nga dinastia abasite. Kishte edhe kalifë abasitë, të cilët e mbanin emrin Mehdi. Për këtë arsyeje ne e shohim Ibën Hazmin, një përkrahës të shtëpisë rivale emevite, duke ofruar fjalët vijuese në vargje:
 
Meqë flamujt kanë filluar të paraqiten në të zezë, është bërë e qartë
 
Për njerëzit e udhëzimit se ato kurrsesi nuk do të kenë kuptim.
 
Flamujt e shtetit abasit ishin të zi. Nuk është vështirë të kuptojmë se ky hadith i dobët mund të jetë shpikur ose ndryshuar për të mbështetur kauzën abasite.
 
Transmeton Ummu Selma se i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Mehdiu është prej pasardhësve të mi, prej djemve të Fatimës.”[8] Zinxhiri i transmetuesve të këtij hadithi është i dobët, sepse përmban Ali bin Nufejl, i cili gjendet në librin e Ukajlit, për transmetuesit e dobët. Ukajli thotë: “Asnjë prej haditheve të tij për Mehdiun nuk duhet të pranohen. Ai është transmetuesi i vetëm që dihet se i ka transmetuar ato dhe të gjitha këto transmetime i kishin kaluar nga Zijad bin Bejan.”
 
Buhariu e përmend këtë hadith dhe thotë se zinxhiri i tij i transmetimit është i dyshimtë. Për këtë arsye, Mundhiri mendon se këto janë aktualisht fjalët e Seid bin Musejjibit.
 
Ka shumë hadithe që japin një kuptim të ndërtuar kur të bashkohen, edhe pse shumica e tyre nuk arrijnë shkallën e autenticitetit kur të shtjellohen veçmas. Rasti është ku vetëm një hadith prej të gjitha haditheve mund të konsiderohet autentik. Hadithet që arrijnë shkallën e haditheve të mira janë pak, shumica e këtyre haditheve janë të dobëta.
 
Shumë dijetarë kanë shkruar për temën e Mehdiut. Njëri nga ata ishte Ne’im bin Hamad, i cili shkroi për këtë çështje në librin e tij “El-Fiten”. Edhe pse ai ishte dijetar i rëndësishëm i Sunetit, ai bëri shumë gabime. Darekutni, Dhehebiu dhe Ibën Haxheri, të gjithë këta e kanë vërejtur këtë fakt. Mesleme bin Haxher tha: “Ai transmeton shumë hadithe për beteja, të cilat duhen të refuzohen, sepse ai është personi i vetëm që i transmeton ato.”
 
Lidhur me këtë temë është botuar libri “Akd Durur”, i autorit Nu’ajm Isfahani. Ibën Kethiri, Sujutiu, Shevkani, San’ani dhe Sehavi, në mes tjerësh kanë shkruar për këtë temë, për të mos përmendur një numër të autorëve bashkëkohorë. Ibën Halduni, në librin e tij “Mukaddime” shkruan: “Mendimi që pranohet nga muslimanët është se Mehdiu është i vërtetë. Nuk ka dyshim se ky është mendimi i saktë, sepse shumica e dijetarëve të mëdhenj dhe njerëzve të dijes i pranojnë hadithet lidhur me Mehdiun si tërësi, edhe pse disa hadithe individuale janë të lira nga kritika. Madje ka dijetarë që thonë se hadithet për Mehdiun kanë arritur shkallën mutevatir,[9] sidomos disa dijetarë të mëvonshëm. Megjithatë ka disa dijetarë, të cilët i kanë mohuar të gjitha hadithet që kanë të bëjnë me Mehdiun.”
 
Në formë të përmbledhur, mund të themi se ka shumë hadithe lidhur me Mehdiun, të cilat gjenden në sunene. Ato janë të cilësive të ndryshme, prej të shpikurave, të dobëtave deri te të mirat. Hadithet që kanë arritur shkallën e haditheve autentike janë të pakta. Megjithatë, besimi në paraqitjen e Mehdiut është çështje e vendosur, që shihet kur t’i kemi mbledhur të gjitha dëshmitë bashkë.
 
Kapitulli i dytë
 
Mehdiu në traditën e Ehlu Sunetit dhe në traditën e shi’itëve
 
Ehlu Suneti beson se një njeri nga familja e të Dërguarit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) do të paraqitet në kohën e fundit në një mënyrë shumë natyrore, i lindur sikur çdo njeri tjetër. Ai do të jetojë ashtu si jetojnë të tjerët. Ai madje mund të gabojë dhe ka nevojë që të tjerët ta përmirësojnë sikur se ne e përmirësojmë njëri-tjetrin. Pastaj, Allahu do të urdhërojë që shumë të mira për muslimanët të vijnë në duart e tij, bashkë me devotshmërinë, drejtësinë dhe virtytin. Allahu do t’i bashkojë muslimanët rreth tij. Nuk ka më tepër për këtë se sa kjo që thamë. Këtë e gjejmë në hadith.
 
Nuk ka asnjë dëshmi tekstuale që tregon se pritja ose parashikimi i ardhjes se Mehdiut është akt i devotshmërisë. Nuk i takon një muslimani që ta pranojë një thënie të tillë, thjesht duke u bazuar në supozimeve. Thëniet e tilla duhet të mbështeten me dëshmi të mjaftueshme. Ata që flasin për këtë çështje janë të shumtë. Kështu ka ndodhur që nga agimi i historisë islame, siç do ta bëjmë të qartë së shpejti. Nga muslimani kërkohet që t’i kontrollojë çështjet, t’i vlerësojë ato dhe t’u qaset atyre me kujdes. Muslimani nuk duhet të ngutet dhe t’i pranojë çështjet për shkak të dëshirave personale, ose për shkak të dëshirave të kota.
 
Në të njëjtën mënyrë, asnjë aspekt i ligjit islam nuk është i varur me paraqitjen e Mehdiut. Deklaratat se institucionet islame si xhumaja, namazet me xhematë, xhihadi dhe zbatimi i dënimeve të caktuara ose aplikimi i ligjeve islame janë të varura me paraqitjen e tij janë të pabaza. Muslimanët duhet të çojnë jetën e tyre në mënyrë normale. Ata duhet t’i kryejnë aktet e adhurimit, t’u përmbahen detyrave të tyre, të angazhohen në xhihad, t’i reformojnë shoqëritë e tyre, ta mësojnë fenë e tyre dhe ta mësojnë njëri-tjetrin. Kur të paraqitet ky njeri i devotshëm dhe identiteti i tij të ndërtohet me prova ta padiskutueshme e të padyshimta, atëherë ne duhet ta pasojmë atë. Ky ishte qëndrimi i sahabëve dhe qëndrimi i atyre që i pasuan ata. Dijetarët në të gjitha kohërat iu kanë përmbajtur këtij parimi. Ideja se Mehdiu duhet të pritet dhe të parashikohet dhe theksi i tepërt që është vendosur në të ishte një zhvillim shumë i mëvonshëm.
 
Mehdiu në traditën e shi’itëve
 
Besimi në Mehdiun është shtyllë themelore e besimit te shi’itët. Sistemi i tyre është themeluar mbi këtë besim. Sektet e ndryshme të shi’itëve nuk pajtohen në shumë gjëra, por ata të gjithë pajtohen për “imamin e fshehur”. Ata e kanë fjalën për imam Mehdiun, edhe pse ata nuk pajtohen se kush është ky imam.
 
Ky koncept i tërë filloi me pretendimin se i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) nuk kishte vdekur dhe se ai do të kthehej. Njeriu i parë që sugjeroi këtë ide ishte çifuti Abdullah bin Sebe’. Ai tha: “Sa të çuditshëm janë ata njerëz, të cilët thonë se Isau do të kthehet, por mohojnë idenë se Muhammedi do të kthehet dhe ai më shumë meriton një kthim të dytë se Isau!”
 
Kjo ide e imagjinuar kishte qëllime dashakeqëse prapa saj. Njeriu, i cili e propozoi atë, dëshironte të korruptonte një shtyllë kryesore të Islamit, besimi në fundin e pejgamberisë. Ky është besimi se Allahu e ka bërë Muhammedin (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) të fundit në vargun e të të dërguarve.
 
Allahu thotë: “Muhammedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj, por ai ishte i Dërguari i Allahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve, e Allahu është i dijshëm për çdo send.” (Ahzabë, 40)
 
I Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Unë jam vula e pejgamberëve. Nuk do të vijë pas meje asnjë pejgamber!”[10]
 
Kjo është një shtyllë e padiskutueshme e besimit islam. Për këtë arsye muslimanët, pa marrë parasysh se a janë njerëz të thjeshtë, dijetarë ose udhëheqës, unanimisht e shpallin jobesimtar secilin që thotë se do të vijë ndonjë pejgamber pas Muhammedit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!). Për këtë arsy0065 gjyqet islame kanë marrë vendim se sektet si Kadijanizmi dhe Bahaizmi janë jashtë Islamit dhe se pasuesit e tyre janë jobesimtarë.
 
Arsyeja për këtë është se ata besojnë se disa nga udhëheqësit e tyre janë pejgamber pas Muhammedit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), si Mirza Ahmed (në rastin e kadijanizmit) dhe të tjerët. Këta njerëz dalin nga besimi, sepse e shkelin një shtyllë të padiskutueshme të besimit.
 
Abdullah bin Sebe’ u përpoq ta fuste këtë ide në Islam nga dera e prapme, duke thënë se i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) do të kthehet nga varri. Ai nuk tha se do të ishte një pejgamber tjetër, por ky ishte vetëm fillimi, sepse sapo njerëzit, ose së paku një grup prej tyre, ta pranonte këtë ide dhe të fillonin të prisnin kthimin e të të Dërguarit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), çështja do të bëhej e thjeshtë. Çdokush mund të pretendonte se ai është i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), i cili është kthyer nga varri dhe jo një person tjetër që po i atribuon vetvetes pejgamberinë. Këtu qëndronte rreziku i një ideje të tillë.
 
Një pretendim i tillë për Pejgamberin shkel besimin e të gjithë muslimanëve. Ai shkel ligjin islam. Ai bie në kundërshtim me konsensusin e sahabëve, tabi’inëve dhe dijetarëve të hershëm. Njeriu, i cili bën pretendime të tilla i përket njërës prej këtyre kategorive:
 
1. Personi mund të jetë i çmendur. Ky person ka nevojë për ndihmë dhe trajtim psikiatrik.
 
2. Personi është i vetëdijshëm për atë që thotë.
 
Duhet të bëhet çdo përpjekje për ta bindur këtë person që ta kuptojë dhe të bindet për të vërtetën. Nëse ai ngul këmbë në pretendimet e tij, atëherë ai duhet të sillet në gjyq. Në këtë mënyrë kadijanitët e Pakistanit dhe grupet tjera janë shpallur jobesimtarë me termat më të qarta, kështu që publiku të mos ketë keqkuptime për këtë çështje.
 
Abdullah bin Sebe’ gjithashtu thoshte se Aliu do të kthehej dhe do ta mbushte tokën me drejtësi ashtu si është mbushur me pabarazi. Ky pretendim më pastaj u transferua te Muhammed bin Hanefije, i cili ishte i biri i Ali bin Ebu Talibit.
 
Muhtar bin Ebu Ubejd, i cili ishte nga Iraku, ishte njëri nga ata që thoshte se Muhammed bin Hanefije ishte Mehdiu. Ky person pretendonte se i zbriste shpallja. Kur dëgjoi sahabiu, Ibën Umer, për thënien e këtij njeriu se po i zbriste shpallja, ai tha: “Ai po e thotë të vërtetën, sepse Allahu thotë: “Shejtanët i inspirojnë ndihmuesit e tyre…”
 
Ibën Umeri nuk tregonte aspak respekt për Muhtarin, për kundër faktit se ai ishte i martuar me Safije bint Ebu Ubejd, motrën e Muhtarit.
 
Sekti, i cili pretendonte se Muhammed bin Hanefije ishte Mehdiu ishte i njohur si kasanitët. Një prej anëtarëve të tyre ishte poeti i famshëm Kethir Azzah, i cili shkroi:
 
Jo, sepse imamët janë kurejshitë,
 
Udhëheqësit në të vërtetën, katër nga ata të barabartë.
 
Aliu dhe tre nga familja e tij.
 
Ata janë nipat, për të cilët nuk ka dyshim.
 
Një prej tyre është nipi i besimit dhe drejtësisë.
 
Një tjetër vdiq në Qerbela,
 
Tjetri nuk do ta shijojë vdekjen derisa
 
Ai të udhëheq këmbësorinë duke bartur flamurin.
 
Ai është i fshehur dhe nuk shihet në kohën tonë,
 
Në Revda, ai kënaqet me mjaltë dhe ujë.
 
 
Në një poezi tjetër ai shkroi:
 
Jo, thuaj kujdestarit, shpirti im të ka liruar ty,
 
Ju keni pritur shumë gjatë në mal.
 
Ju i keni lënduar njerëzit, të cilët janë besnik ndaj jush,
 
Dhe të cilët ju konsiderojnë kalifë dhe Imam
 
Me ju, popujt e tokës përsëri janë bërë një.
 
Ju keni qëndruar larg tyre për gjashtëdhjetë vjet.
 
Ibën Havle nuk e ka shijuar vdekjen.
 
E as nuk i ka lënë trashëgim tokës eshtrat e veta.
 
Ai ka ushqimin e tij çdo ditë,
 
Dhe pas ushqimit ai pinë ujë.
 
Kur Muhammed bin Abdullah bin Hasan u ngrit kundër Ebu Xhafer Mensurit, ai e mori titullin Mehdiu, duke shpresuar të jetë nga ata që ishin parashikuar në hadith. Pastaj, ushtria e tij u shpartallua dhe ai u mbyt më vitin 145 hixhrik. Koka e tij e prerë ishte nxjerrë në dukje nga Medina deri në Irak. Për kundër kësaj, pasuesit e tij u ndanë në tri grupe.
 
Grupi i parë ishin ata të cilët e pranuan vdekjen e tij dhe e hodhën poshtë mendimin se ai ishte Mehdiu. Grupi i dytë pretendonin se ai do të kthehej edhe pse e panë se kishte vdekur. Grupi i tretë vendosën se Mehdiu duhej të ishte dikush tjetër.
 
Gjëja e çuditshme është se kjo situatë është përsëritur gjatë gjithë historisë së Islamit. Kur ndodhën ngjarjet e fundit në Harem, Mekë, disa nga ata që pretendonin se lideri i tyre ishte aktualisht Mehdiu, e kishin aq të ngulitur këtë ide, sa që pasi e mbytën atë, ata thanë se ai nuk kishte vdekur, por ishte arratisur. Shpeshherë njeriu dëshiron të mohojë dëshminë e shqisave të veta, sepse është kurthuar nga ndonjë nocion. Ai nuk mund ta bëjë veten të pranojë se është në gabim ose është mashtruar ose që ideja e tij që e mbante aq të dashur është apo nuk është e saktë.
 
Mehdiu, për shi’itët, zhvendosej nga një person në tjetrin, secilën herë që ata i ushqenin shpresat në dikë tjetër provohej se ishte jo e vërtetë. Pas Muhammed bin Hanefije disa nga ata filluan të shikonin kah Muhammed bin Xhafer, i njohur si Xhafer Sadik. Pasi që ai vdiq, disa u kthyen te Ismail bin Xhaferi. Këta njerëz njihen si ismailitët, një sekt i batinitëve. Pasi që ai vdiq pa lënë trashëgimtar, disa tjerë filluan ta presin, Muhammed bin Ismailin. Këta njerëz i takojnë një sekti tjetër të batinitëve të njohur si keramitët. Sekti më i famshëm shi’it është ithnaasharitët (të dymbëdhjetët). Ata i njohin dymbëdhjetë imamë, i fundit prej tyre Muhammed bin Hasan Askerij, Mehdiu. Për ata ai ishte imami i pagabuar, i cili u zhduk në një shpellë nëntokësore para 1200 vjetësh. E vërteta është se babai i tij i supozuar vdiq pa i lindur asnjë fëmijë. Për këtë arsye u shkruan vargjet vijuese:
 
Kurrë nuk ndodhi lindja e atij në shpellë,
 
Për të cilin folët me injorancë. Ajo nuk ndodhi!
 
Sa i përket Mehdiut abasit, babai i tij, kalifi Ebu Xhafer Mensur, ia kishte lënë emrin Muhammed. Ai pastaj i dha titullin Mehdi, sepse ai po ndeshej me problemin e Mehdiut të ashtuquajtur nga ehlu bejti. Ai ishte detyruar të luftojë zjarrin me zjarr. Në asambletë e tij private ai kishte zakon të thoshte: “As Mehdiu i ehlu bejtit e as djali im nuk janë Mehdiu i vërtetë. Ne vetëm po i luftojmë ata me të njëjtën gjë që ata na luftojnë neve.” Në këtë mënyrë djali i Ebu Xhafer Mensurit pretendonte se është Mehdiu nga rivaliteti i tij me një pretendent tjetër të njohur si “zemra e pastër”.
 
Gjatë historisë ka pasur shumë “Mehdia”. Ishte Mehdiu bin Tumart në Marok, i cili e ndërtoi kalifatin El-Mehd. Ishte Mehdiu i Sudanit, Muhammed ose Ahmed bin Abdullah, i cili themeloi lëvizjen mehdi’iste, e cila akoma ekziston si parti politike në shtet. Ai thoshte se ishte nga familja e të Dërguarit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), dhe pretendonte se i zbriste shpallja. Ai gjithashtu thoshte se i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) i kishte folur dhe i kishte thënë se ju jeni Mehdiu. Shumë njerëz e pasuan atë.
 
Duhet të pranojmë se pati disa të mira nga lëvizja, sepse ajo luajti rol në çlirimin e Sudanit nga kolonialistët.
 
Kanë qenë një numër i Mehdive, të cilët kurrë nuk u bënë të njohur. Ibën Tejmijje shkroi: “Unë njoh më tepër se një shejh në kohën tonë, të cilët pretendojnë se janë Mehdiu. Disa nga ata ndoshta mund të inspirohen me këto ide derisa janë zgjuar, por ky është një inspirim nga shejtanët.”
 
Ibën Haxher Askalani në librin e tij që përmbledh biografinë e njerëzve të njohur të shekullit tetë hixhrik, e përmend një lloj të këtyre njerëzve: “Gjendja e tij mendore u keqësua dhe ai filloi të pretendonte se e shihte Allahun duke zbritur në qiell dhe se Allahu i fliste atij dhe e lajmëronte se ai ishte Mehdiu.”
 
Kapitulli i tretë
 
Disa komente të përgjithshme
 
Tashmë ne e kemi paraqitur një përzgjedhje të haditheve që gjenden lidhur me Mehdiun. Ne gjithashtu kemi diskutuar një numër të ngjarjeve historike që lidhen drejtpërdrejt me këtë çështje. Tani, në përfundim, ne do të ofrojmë disa komente lidhur me atë që kemi prezantuar.
 
Komenti i parë
 
Ne mund ta vërejmë lehtë se dëshpërimi i papërmbajtur i bën njerëzit të kërkojnë shpëtim. Bile edhe nëse zgjidhja është imagjinare, ajo u jep diçka për t’u kapur dhe përqendruar përballë dështimeve të tyre të mëdha dhe shpresave të liga. Për këtë arsye mehdi’izmi është aq mbizotërues te shi’itët. Ata gjithmonë kanë qenë minoritet, dhe në pjesën më të madhe forca politike ishte në duar të Ehlu Sunetit. Ata ndiheshin të tjetërsuar dhe të lënë anash. Udhëheqësit e tyre ishin larg nga qendrat e ndikimit dhe vendimmarrjes, kështu që ata i zëvendësuan këto të meta duke u siguruar pasuesve të tyre koncepte që do të mbronin shpirtin e tyre dhe do të fortifikonin vendosmërinë e tyre.
 
Kjo ndoshta ka qenë diçka thjesht psikologjike, sepse, ndonëse ishte dredhi e qëllimshme e disave, të tjerët mund të jenë magjepsur me këto ide sa që ata aktualisht u besuan atyre dhe i përhapën ato te të tjerët me bindje të vërtetë. Njerëzit tjerë do të ishin të gatshëm t’i pranonin idetë e tilla, pasi që ata u prezantoheshin atyre me një sinqeritet, seriozitet dhe ndershmëri të dukshme. Ata gjithashtu do ta trashëgonin entuziazmin e këtyre të parëve.
 
Mehdi’izmi u siguronte shi’itëve, të cilët nuk kishin shans të fitonin fuqi politike një shfrim të ndjenjave. Ata i nxitën shumë revolta, por të gjitha dështuan. Një diskutim i këtyre revoltave dhe rezultateve përfundimtare të tyre mund të gjenden në librin e Asfehanit “Maktu Talibin”.
 
Në të njëjtën mënyrë, disa njerëz nga Ehlu Suneti, në raste kur rrethanat u sollën dëshpërim, i marrin këto ide si mjete shpëtimi. Kur spanjollët i nxorën muslimanët nga Spanja, disa muslimanë filluan të thonë se Mehdiu është paraqitur. Ata e prisnin atë, duke besuar se kur të vjen, ai do t’u siguronte fitore kundër spanjollëve.
 
E njëjta mund të thuhet për disa vëllezër në Kavkaz, të cilët besonin se shejh Mensur, i cili e udhëhoqi një nga lëvizjet çlirimtare para kohës së shejh Shamil, do të kthehej përsëri dhe do ta udhëhiqte xhihadin.
 
Kurdët janë një popull, të cilët padyshim kanë përjetuar vuajtje të hidhura në shumë shtete dhe gjatë historisë së tyre, me përjashtim historik të kohës së sundimit të Salahudin Ejubit dhe pasardhësve të tij. Si pasojë, shumë kurdë kanë besuar se njëri prej udhëheqësve të tyre, Hasan bin Ali, do të kthehej.
 
Ndjenjat e frustrimit mund të vijnë pas një dështimi në ndonjë përpjekje kryesore ose në thyerjen e shpresave që lidhen më të. Kjo mund të jetë një përpjekje në luftë ose ndonjë lëvizje tjetër në të cilën njerëzit i kanë varur shpresat dhe e drejtojnë shikimin si mënyrë për të dalë nga dëshpërimi i tyre. Kur të dështojnë përpjekjet e tilla dhe shpresat të përplasen për tokë, ata bëhen të demoralizuar dhe bien në dëshpërim. Ata mund të gjejnë shpëtim në pritje për dikë.
 
Më së miri për Umetin islam është që të mos i varin shpresat e tyre në një përpjeke specifike. Arena për punë islame është shumë më e gjerë se sa të kufizohemi në një nismë ose tjetër. Nëse disa përpjekje dështojnë, të tjerat do të kenë sukses. Në këtë mënyrë, zemrat e njerëzve mund të jenë të pastra nga frustrimi dhe dëshpërimi shkatërrues. Shpartallimi, dështimi dhe frustrimi sigurojnë ambient ideal që idetë mehdi’iste të përhapen sidomos në mes të atyre të cilët nuk posedojnë një plan pozitiv të veprimit, i cili mund t’i përmbush ato dhe t’i kanalizojë energjitë e tyre.
 
Dëshpërimi shpesh e shpie njeriun të besojë se puna është jo e frytshme dhe se zgjidhja e problemeve që ata i përballojnë janë larg arritjes së përpjekjeve njerëzore. Ata nuk shohin rrugë tjetër për të dalë nga kjo, përveç intervenimit hyjnor të një natyre të mrekullueshme, intervenimit që vjen në formën e Mehdiut, i dërguar për ta si ndihmë hyjnore për t’i shkaktuar dëme të rënda dhe për ta shkatërruar armikun e tyre. Ai do t’i bashkojë muslimanët dhe do t’i shuajë përçarjet e tyre.
 
Kur ne i përqafojmë idetë e tilla, ne arsyetojmë veten për mosbërjen e ndonjë pune serioze dhe të frytshme. Ne bëhemi të vetëkënaqur derisa ne presim Mehdiun. Ndjenjat e tilla, sipas mendimit tim, dalin nga kombinimi i dy sëmundjeve shpirtërore.
 
E para është qëndrimi disfatist që mund të ndikojë një grup të njerëzve bile edhe një komb të tërin, kur shpresat të cilat i kanë ushqyer në diçka të veçantë janë avulluar. Kjo është arsyeja që kurdoherë që vdes një “Mehdi”, njerëzit i transferojnë shpresat e tyre në një tjetër, ose pretendojnë se ai nuk ka vdekur, ose se ai do të kthehet një ditë.
 
Sëmundja e dytë është të djegurit për ndryshim radikal dhe të plotë dhe pakënaqësia me diçka që është e ngadalshme. Kjo është një dështim, i cili nuk merr parasysh rregullin hyjnor në krijim. Gjithashtu është një dështim në të kuptuarit e vlerës së reformës graduale ose reformës së pjesërishme. Njerëz të tillë ëndërrojnë se e gjithë padrejtësia që mbizotëron rreth botës mund të largohet me një lëvizje të syrit. Megjithatë, ne duhet të besojmë se Allahu e ka fuqinë të ndryshojë çfarëdo që dëshiron.
 
Me një mbyllje syri, para se të hapet përsëri,
 
Allahu e ndërron një situatë në tjetrën.
 
Mirëpo, Allahu ka vendosur një rregull hyjnor për ndryshim dhe reformë, për të cilën na ka urdhëruar të punojmë. Për këtë arsye Allahu thotë:
 
“Allahu nuk e prish (ndryshon) gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre.” (Rra’d 11)
 
Ka disa që ëndërrojnë për një zgjidhje universale për t’i dhënë fund problemeve të tyre. Problemi i tyre është se ata dëshirojnë e gjithë kjo të ndodhë brenda jetës së tyre. Ideja se mbjellja e një fidani që ata dhe fëmijët e tyre, pastaj do ta rrisin, derisa ata mundohen dhe presin rezultatet, është diçka që e shtrinë vendosmërinë e tyre matanë kufijve. Ata nuk po presin për frytet e përpjekjeve dhe mundit të tyre, por për diçka që nuk kërkon përpjeke nga ata me përjashtim të pritjes dhe ëndërrimit.
 
Mund të vërehet se njerëzit, të cilët angazhohen në punë produktive si ndihma ndaj të tjerëve, mësimi i njerëzve, thirrja e tyre në Islam dhe reforma e efektshme – njerëz të cilët kanë projekte, objektiva dhe aktivitete të cilat fokusojnë vëmendjet, energjitë dhe shpresat e tyre – nuk ndikohen nga idetë mehdi’iste. Arsyeja është se puna produktive me të cilën janë angazhuar i mbush jetët e tyre dhe u sjell kënaqësi. Vërtet ata nuk kanë nevojë për mbështetje mendore për t’i përkrahur. Nëse një ditë arrin një njeri i tillë, ata me gatishmëri u bashkohen të tjerëve në përkrahjen e tij. Në të njëjtën kohë, ata nuk varen me ardhjen një ndodhie të tillë, e as nuk i ndalin përpjekjet e tyre duke pritur që kjo të ndodhë.
 
Sa i përket atyre që i varin shpresat e tyre në objektiva të largëta dhe të paarritshme derisa në të njëjtën kohë nuk bëjnë përpjekje ta sjellin atë më afër realizimit, por vetëm ulen dhe presin, njerëzit e tillë shpesh i shikojnë përpjekjet e të tjerëve me përqeshje. Ata pyesin: “Çfarë mendoni se mund të bëni? A mund t’i ktheni prapa erërat ose vërshimet shkatërruese me duart tuaja të vogla?”
 
Njerëzit e tillë nuk shohin zgjidhje tjetër përveç ndryshimit radikal dhe të plotë dhe një ndryshim i tillë mund të vijë vetëm në duart e njeriut të pritur.
 
Për këtë arsye pretendimet mehdi’iste janë bërë në atmosfera të tensionit dhe krizave dhe në kohën e ndryshimeve të mëdha shoqërore e politike. Të gjitha ato lëvizje mehdi’iste ndodhën në kohën kur njerëzit, sidomos rinia ndihej e kurthuar, kur nuk gjetën shpëtim tjetër pos t’u kthehen këtyre ideve.
 
Ne gjithashtu duhet ta vërejmë se mehdi’izmi gjatë gjithë historisë ka qenë i lidhur me shi’itët, ndërkaq sot ne shohim një kthim të papritur të këtij trendi. Shi’itët, historia e të cilëve ka qenë histori e pritjes dhe jo e aktivitetit, vetë shi’itët të cilët kishin prodhuar shumë “Mehdia” dhe kishin thënë se xhumaja, xhihadi dhe shumë punë tjera nuk janë të vlefshme derisa të arrijë Mehdiu – tani kanë marrë mësim dhe i kanë reformuar idetë e tyre lidhur me pritjen e Mehdiut. Ata nuk e kanë hedhur poshtë idenë. Shumica e tyre ende besojnë në imamin e pritur, por ata gjetën alternativa ndaj pritjes. Ata kanë filluar të punojnë, të planifikojnë dhe të arrijnë rezultate. Për shkak të këtij ndryshimi, ata kanë themeluar kombe. Ata kanë formuar parti dhe organizata politike. Mediet dhe aktivitetet e tyre janë ta pashoq sot. Në të njëjtën kohë, Ehlu Suneti kanë filluar të bisedojnë gjatë në mënyrë të mërzitshme për Mehdiun dhe se si e presin në parapërgatitje, duke spekuluar se kush është ai.
 
Ky është një prapësim shumë i çuditshëm në mendim. Rinia e Ehlu Sunetit duhet të ndalet dhe të shqyrtojë se janë duke e vënë veten në një gjendje shumë të vështirë. Ata po drejtohen në gjendjen e njëjtë prej të cilës të tjerëve iu është dashur të dalin. Asgjë e mirë nuk mund të thuhet për këtë trend, sidomos kur historia na tregon se sa i rrezikshëm dhe shkatërrues është ai.
 
Komenti i dytë
 
Janë dy lloje të personave, të cilët pretendojnë se janë Mehdiu. Lloji i parë është ai, i cili e di se po gënjen. Ai ka dalë t’i mashtrojë njerëzit, për t’i kthyer ata në pasues të tij dhe për t’i shfrytëzuar ata. Nëse e shikojmë shtetin fatimit, ne shohim se ai ishte ndërtuar mbi një pretendim të tillë. E njëjta mund të thuhet për El Mehd, dinastia e themeluar nga “Mehdiu” Ibën Tumart. Këta njerëz e ngritën flamurin e tyre për qëllime politike dhe fitime materiale dhe ata e arritën atë që e synuan. Pretendentët të tjerë, të cilët kishin qëllime të ngjashme nuk ishin aq fatlum në synimet e tyre.
 
Lloji tjetër i personit që vjen me këtë pretendim është njeriu i hutuar dhe imagjinon se vërtet është Mehdiu. Njerëz të tillë janë të sëmurë, siç thotë Ibën Haxheri: “Ata kanë një gjendje të keqësuar mendore”. Kjo situatë mund të kuptohet mirë nga psikologjia bashkëkohore. Ka njerëz që janë të çrregulluar mendërisht ose kanë personalitet të plasaritur.
 
Disa njerëz pretendojnë se janë Isau (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ose Mehdiu, ose dikush tjetër më i rëndësishëm se këta të dy.
 
Komenti i tretë
 
Mbitheksimi i çështjeve është formë e devijimit, bile edhe kur është fjala për një çështje legjitime. Ta marrim shembull caktimin e një imami që t’u prijë muslimanëve. Nuk ka asnjë mosmarrëveshje mbi këtë çështje, përveç mendimit të pazakontë që kanë el-Asamm. Sa i përket pjesës tjetër të muslimanëve – dhe të gjithë Ehlu Sunetit pa përjashtim – caktimi i një imami shihet si nevojë dhe domosdoshmëri fetare.
 
Megjithatë, shi’itët e teprojnë në këtë çështje, duke e bërë atë vijë kufindarëse në mes tyre dhe çdokujt tjetër. Ata kanë ndërtuar mbi të një ndërtesë ideologjike imponuese. Kur ju i lexoni librat e tyre dhe i konsideroni principet e tyre, duket sikur toka dhe krejt universi është krijuar për nder të imamëve, sidomos imamatet e Ali bin Ebu Talibit dhe pasardhësve të tyre. Ata e bëjnë të duket sikur këta imamë janë ata, të cilët e mbajnë ekzistencën dhe se jeta e ahiretit buron nga ta dhe është për ta. Ata përshkruhen si lidershipi i vërtetë për popullin dhe burimi i vetëm i reformës për njerëzimin. Mbrojta e besimit arrihet vetëm përmes tyre. Ka edhe shumë lidhje shkakore që ata ua atribuojnë imamëve të tyre, përveç atyre të cilat i përmendëm dhe të gjitha këto deklarata bëhen pa ofruar prova dhe dëshmi për t’i mbështetur ato.
 
Ehlu Suneti duhet ta kuptojë faktin se mbitheksimi i ndonjë çështjeje mund të jetë formë e devijimit. Po, ju duhet të besoni në një çështje që është legjitime, por në të njëjtën mënyrë ju duhet t’i jepni theksin legjitim, për të mos e fryrë atë jashtë proporcionit e as për të mos e anashkaluar. Ky parim vlen për çështjen e Mehdiut. Disa njerëz shkojnë aq larg sa që mohojnë hadithet për Mehdiun. Ata e bëjnë këtë për shkak të mënyrave të shumta që ideja e Mehdiut është abuzuar gjatë historisë, duke menduar se mohimi i ekzistencës së tij mund t’i jepte fund problemit. Ndonëse, nganjëherë arsyeja e mohimit të tyre është për shkak të mungesës së njohjes së Sunetit. Ky është një ekstrem. Pastaj ka disa, të cilët e përqafojnë idenë e mehdi’izmit me një forcë dhe zell të tepërt sa që ajo i shkatërron ata. Ata janë në gabim të njëjtë si të tjerët që e mohojnë Mehdiun.
 
E njëjta mund të thuhet për ndonjë çështje tjetër të adhurimit. Nëse dikush shkon në ekstrem nga frika prej Allahut, ai mund të përfundojë në gabim si havarixhët. Në anën tjetër, shpresa e tepruar për falje nga Allahu mund ta sjellë njeriun në gabimet e murxhiave. Dashuria e tepërt mund të çojë në gabimet e sufinjve. Kjo është e vërtetë për të gjitha principet islame. Ne duhet t’u besojmë atyre dhe t’ua japim peshimin e duhur, duke mos zmadhuar rëndësinë e tyre ose neglizhuar ato. Ky është një koncept shumë i rëndësishëm.
 
Kjo është pjesë e mesit të zgjedhur që përmendet në Kur’an, Allahu thotë: “Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në fenë islame) Ne u bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur).” (Bekare, 143)
 
Ky mes i zgjedhur është të pasurit maturi, as të mos shkohet në ekstrem e as të mos largohemi krejt. Kur i shqyrtojmë çështjet për të cilat përçahen muslimanët, pa marrë parasysh se a është fjala për muslimanët në përgjithësi ose për punonjësit dhe organizatat islame në veçanti, ne shohim se shkaku i mospajtimeve të tilla është përvetësimi i një pozite ekstreme ose tjetër.
 
Një grup shkon në ekstrem në çështjen e qeverisë islame, aq shumë sa që ata i akuzojnë qeveritë islame për mosbesim, duke i futur në një thes edhe dijetarët dhe qytetarët të cilët janë të kënaqur me ta. Pastaj ka të tjerë të cilët e lënë anash këtë çështje të njëjtë dhe e ulin rëndësinë e saj, duke thënë pa asnjë argument nga Allahu se njerëzit janë të lirë ta udhëheqin veten me çfarëdo ligji ose sistemi politik që ata e shohin të shëndoshë. Këta njerëz janë aq të tepërt në neglizhencën e tyre për këto çështje sa edhe ata të cilët i ndihmojnë ata.
 
Pastaj janë ata të mesmit, të cilët i japin çdo çështje vendin e vet legjitim dhe konsideratën e duhur, duke iu shmangur të gjitha ekstremeve. Allahu thotë: “Allahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin).” (Talakë, 3)
 
Komenti i katërt
 
Islami siguron një alternativë të fuqishme në vend të pritjes dhe ata që janë të zënë me çështjen e Mehdiut dhe pritjen e tij në përgjithësi nuk e vërejnë këtë. Ky është principi i ripërtëritjes që gjendet në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra: “Allahu i dërgon këtij Umeti në fillim të çdo shekulli ata që ripërtërijnë fenë”.[11]
 
Ky është një hadith autentik që gëzon pranim të gjerë në mesin e muslimanëve. Çështja e ripërtëritjes është koncept legjitim islam dhe është pranuar nga dijetarët më eminent. Ebu Bekri u angazhua në ripërtëritje pas vdekjes së të Dërguarit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), duke i kthyer njerëzit në të vërtetën dhe duke i luftuar felëshuesit. Umer bin Abdulaziz u angazhua në ripërtëritje me reformimin e tij të emevitëve. Shafiu, Ahmedi dhe dijetarët tjerë e kryen këtë detyrë gjatë kohës së tyre. Të gjithë këta njerëz bën ripërtëritje në vendin e ndikimit të tyre.
 
Kjo është çështja që vërtet mund t’i reformojë rrethanat e popujve dhe bile t’i inspirojë ata të marrin pjesë në reformën e tyre. Arsyeja për këtë është se ripërtëritja nuk është diçka që pret ardhjen e ndonjë individi si Mehdiu., ajo është detyrë e çdo muslimani. I Dërguari i Allahut tha: “Atë të cilët e ripërtërijnë fenë.” Kjo është një deklaratë e përgjithshme, që nuk i drejtohet ndonjë individi ose grupi të veçantë. Ai përfshinë shumë njerëz që punojnë në sfera të ndryshme të jetës. Kush mundet që vetë t’i ripërtërijë të gjitha aspektet e Islamit që kanë të bëjnë me shumë fusha të jetës, duke përfshirë arsimin, punën, ekonominë dhe mediet? Kjo nuk mund të arrihet nga ndonjë individ ose madje grup i individëve. Një ripërtëritje e tillë gjithëpërfshirëse kërkon një numër shumë të madh të njerëzve.
 
Madje edhe kur kjo të ndodhë, Umeti islam gjithmonë do të kërkojë më tepër reforma dhe ripërtëritje të vazhdueshme. Për këtë arsyeje i Dërguari i Allahut e përmendi grupin e mbështetur nga Allahu, i cili do të mbetet i qëndrueshëm me urdhrin e Allahut dhe as nuk do të dëmtohet nga ata që i braktisin e as nga ata që janë kundër tyre derisa të vjen vendimi i Allahut. Brenga e këtij grupi është reforma dhe ripërtëritja. Disa nga ata angazhohen në arsim, disa në reformë ekonomike, disa në punë të da’vetit, disa në përpjekje humanitare. Ne kemi nevojë ta nxjerrim Umetin islam, rininë e tij dhe popujt e tij të ndryshëm, nga dëshpërimi në të cilin kanë rënë. Kjo është një përgjegjësi që duhet ta ndajmë të gjithë.
 
Përfundimi
 
Unë dëshiroj të përfundoj me katër pika:
 
1. Ne duhet të nxisim dialog për çështjet kryesore me të cilat ballafaqohen muslimanët sot. Ne duhet të zhvillojmë te njerëzit tanë dhe te rinia jonë aftësinë për të dëgjuar. Kjo vlen sidomos për udhëheqësit tanë, qoftë intelektualët ose politikanët. Sepse, kur njerëzit e dinë se po u vihet veshi, ajo largon një pjesë të pakënaqësisë nga zemrat e tyre. Ajo u hap rrugë të mirëkuptimit, negociatave dhe shkëmbimeve të mendimeve. Kjo e mbron unitetin e muslimanëve dhe energjitë e rinisë. Ajo i drejton energjitë e tyre ndaj detyrës së rëndësishme të konfrontimit të rreziqeve që i rrethojnë ata.
 
2. Ne duhet t’i inkurajojmë institucionet tona intelektuale për t’u angazhuar në thirrje të njerëzve në Islam, arsim dhe punë humanitare. Ne duhet t’i inkurajojmë ata që t’i shfrytëzojnë mediet. Duhet të mbështeten gjithashtu edhe organizatat tona bamirëse dhe përpjekjet tjera humanitare. Ne duhet ta largojmë dëshpërimin dhe frustrimin që po i mundon muslimanët, sepse dëshpërimi nuk sjellë asgjë të mirë. Ajo mund të sjellë vetëm dëm duke i vënë njerëzit në një qëndrim disfatist.
 
3. Ne duhet të sigurojmë mundësi që rinia jonë muslimane të jetoj jetë të denjë e të respektueshme. Varfëria dhe papunësia i shndërron ata në lëndë djegëse për çfarëdo ideologjie devijuese që vjen si pasojë e tyre.
 
4. Ne duhet të ruajmë Umetin islam nga rreziqet e mendimeve devijuese dhe shthurjes morale. Nuk ka dyshim se këta faktorë kanë fuqinë të nxisin një reagim me pasoja të mëdha negative. Ne kemi filluar të shohim ne mediet arabe dhe në internet dhe faqet e bisedave, njerëz të cilët flasin keq për Allahun dhe e mohojnë madhështinë dhe madhërinë e Tij. Në të njëjtën mënyrë ata shpifin për të Dërguarin e Allahut (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), duke përçmuar atë që muslimanët e kanë të shenjtë dhe duke i përdhosur simbolet e Islamit. Ne duhet të lejojmë dialogun, por dialogu duhet të qëndrojë brenda kufijve të vet që e lejon Islami. Ne nuk duhet t’u japim atyre, të cilët janë të sëmurë dhe moralisht të shthurur, rastin për të abuzuar Islamin në një mënyrë të neveritshme dhe vulgare, sepse kjo nganjëherë mund të shkaktojë reagime të dhunshme dhe të jashtëzakonshme. Është obligim për ne që ta ruajmë Umetin islam nga idetë devijuese dhe të fëlliqura dhe gjërave që mediet, përmes televizionit, internetit dhe mënyrave tjera në dispozicion të tyre, po i qarkullojnë në shoqëritë tona muslimane. Ne duhet ta bëjmë një përpjeke të madhe për ta arritur këtë.
 
E lus Allahun që t’i jap forcë Islamit dhe muslimanëve dhe të mbjellë dobësi tek ata që e kundërshtojnë Islamin. Allahu i ndihmoftë muslimanët kudo që janë dhe i mbrojt ata nga e keqja e shpirtligut dhe kurthet e të devijuarve aq kohë sa ekziston dita dhe nata. Allahu na ndihmoftë që të flasim fjalë të vërteta dhe të bëjmë punë të mira. Vërtet, Ai ka mundësi për çdo gjë. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin, Muhammedin (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), mbi familjen dhe shokët e Tij!
 
 
Përktheu nga anglishtja: Driton Maxhuni
 
Redaktor fetar: Bahri Curri
 
Redaktor gjuhësor: Avni Avdiu
 
Titulli në origjinal: Awaiting the Mahdi Covenant or Creed
 
Autor: Selman el Audeh
 
Marrë nga: www. islamtoday.com
 
Publikuar për herë të parë në shqip nga: www.klubikulturor.com
 
[1] Sahihu i Buhariut (7046), dhe Sahihu i Muslimit (2269).
 
[2] Shënon Ahmedi në Musnedin e tij (12981).
 
[3] Sahihu i Muslimit (2899).
 
[4] Musnedi i Ahmedit dhe Suneni i Ibën Maxhes (4085).
 
[5] Mustedreku i Hakimit (8716).
 
[6] Suneni i Ebu Davudit (4285).
 
[7] Mustedreku i Hakimit (8572), dhe Musnedi i Ahmedit (22387).
 
[8] Suneni i Ebu Davudit (4086).
 
[9] Kur një hadith e transmetojnë një grup i transmetuesve autentik në çdo gjeneratë, atëherë këtë hadith e quajmë transmetim mutevatir.
 
[10] Suneni i Tirmidhiut (2219), dhe suneni i Ebu Davudit (4252).
 
[11] Suneni i Ebu Davudit (4291).