Ju tregoj diçka për Sufizmin (2)

Ju tregoj diçka për Sufizmin (2)

Në shkrimin e kaluar folëm për fillesat dhe etapat e sufizmit, ndërsa në këtë shkrim plotësues do të përpiqemi të përmendim disa prej parimeve, grupeve dhe sekteve të sufizmit, si dhe realitetin në të cilin i ka çuar këta njerëz largimi nga Kurani dhe Suneti i Profetit.

Përpara se të hyjmë në shtjellimin e asaj që dëshirojmë është me vlerë të përmendim diçka rreth realitetit të sufive dhe parimeve të tyre, ndaj dhe kemi zgjedhur thënien e njeriut i cili i ka njohur nga afër këta të fundit.

Dijetari i njohur i Islamit, Ihsan Ilahi Dhahir, në librin e tij “Sufizmi –Burimi dhe Origjina e Tij” ka thënë: “Kur shikojmë thellë në mësimet e Sufive të parë dhe të vonshëm dhe thëniet e tyre të përcjella nga ata në librat Sufite të vjetra dhe ato të sotshmet, ne shohim një dallim të madh mes kësaj dhe mësimeve të Kuranit dhe të Sunetit. Ne s’i gjejmë rrënjët apo farat e tyre në historinë e udhëheqësit të të gjitha krijesave pejgamberit Muhamed sal-allahu alejhi ue selam, e as në të shoqëruesve bujarë të tij, të cilët janë ndër krijesat më të mira të Allahut. Madje në kundërshtim me këtë ne shohim që Sufizmi është përfituar dhe mësuar nga monasticizmi i Krishter, Brahmanizmi, Hinduizmi, devocioni fetar i Judaizmit dhe asketizmi i Budizmit”.[1]

Parime dhe besime tek sufizmi

–           Teuhidi: në një pjesë të mirë të sufive teuhidi është shkrirja e Allahut tek krijesat ose unifikimi midis tyre, madje renegati, stimulues i këtij parimi Ibën Arabiu zë një vend të posaçëm në mesin e këtyre grupeve dhe sekteve. Ndërkohë që kjo është thënie më e shpifur se ajo e të krishterëve për të cilët Allahu tha: “Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është njëri prej Trinisë!” Nuk ka veçse një Zot të Vetëm të vërtetë! Nëse nuk heqin dorë nga ato që thonë, patjetër që jobesimtarët nga mesi i tyre do t’i godasë një dënim i dhembshëm”.[2]  Kjo për vetë faktin se të krishterët sajuan unifikimin e Krijuesit me profetin Isa dhe melekun Xhebrail, ndërsa sufijtë e shohin këtë te të gjitha krijesat, aq sa gjuhët e tyre kanë nxjerrë thënie, të cilat dridhet dora t’i shkruajë e s’i bën gjuha t’i shqiptojë, Allahu na ruajt nga lajthitje të tilla. Ndërsa një pjesë tjetër e tyre kanë zgjedhur Esharizmin apo akiden e Maturidiut.

–           Zbulesa: Sufitë e konsiderojnë zbulesën, si një ndër rrugët më të sigurta për arritjen e njohurive dhe mësimin e parimeve të fesë. Me zbulesën Sufitë kanë si qëllim marrjen e njohurive nëpërmjet këtyre praktikave:

1.        Përfitimi i dispozitave, i rregullave fetare dhe të adhurimit nëpërmjet Profetit, qoftë nëpërmjet ëndrrave, apo edhe nëpërmjet shfaqjes dhe prezencës së tij. Madje për këtë të fundit ka shumë tregime në librat e tyre, ku pohojnë se sheha të tyre kanë takuar Profetin dhe kanë mësuar prej tij shumë nga ziqret dhe adhurimet që ata përdorin!

2.        Inspirimi, ku ata pretendojnë se marrin mësime në mënyrë direkte nga Allahu, pa ndërmjetës dhe për këtë shkak e kanë vendosur pozitën e shehut mbi pozitën e Profetit, sepse sipas tyre shehu/veliu e merr dijen drejtpërdrejt nga Allahu, ndërsa profetët e marrin atë me ndërmjetësimin e Xhibrilit.

3.        Shëtitja dhe udhëtimet: me të cilën nënkuptojnë shëtitjen e shpirtrave të evlijave nëpër gjithësi, nga ku kthehen sipas tyre me dije dhe njohuri të reja. [3]

–           Besimi i tyre në Profetin: Ekstremistët e tyre në lidhje me Profetin kanë besime të ndryshme. Prej tyre ka të atillë që besojnë se Profeti nuk mund të arrijë në gradën që mund të arrijë një Velij dhe se ai nuk ka pasur njohuritë, të cilat i kanë fituar shejlerët dhe evlijatë. Një ndër kokat e sufive Bestamiu shprehet në këtë mënyrë: “Ne kemi hyrë në detin, në brigjet e të cilit kanë mbetur Profetët”.[4] Por ndërkohë ka të atillë që mendojnë se Profeti është kupola e gjithësisë dhe qiejt, toka, arshi e të gjitha krijesat janë krijuar nga nuri i tij dhe se ai është gjëja e parë që ka ekzistuar. Ky është besimi i renegatit Ibën Arabi, i cili ka frymëzuar shumë njerëz me parimet e tij djallëzore aq sa Busejri në një nga poemat e tij shkruan kështu për Profetin:

Si shkak i bujarisë tënde, ekziston dynjaja dhe ahireti.

Dhe dija jote është dija e pllakës së ruajtur dhe e lapsit.[5]

Disa të tjerë nuk i besojnë të gjitha këto, madje ata pohojnë se Profeti është thjesht rob dhe i dërguar, por ata e marrin Profetin si ndërmjetës mes tyre dhe Allahut, gjë e cila bie në kundërshtim me besimin e Ehli Sunetit. Madje këta me këto veprime bien ndesh me vetë hadithin e Profetit, në të cilin thuhet: “Mos më ngrini mua ashtu sikurse ngritën të krishterët Isain birin e Merjemes, unë jam rob i Allahut dhe i dërguar i Tij”.[6]

–           Besimi i tyre ndaj evlijave: Edhe në lidhje me evlijatë, sufitë kanë parime e besime të ndryshme: Prej tyre ka të tillë që besojnë se evlijatë janë më lart se Profetët, madje profetët ndoshta kanë mësuar prej evlijave. Disa të tjerë kanë lajthitur aq shumë, saqë i kanë barazuar evlijatë me Allahun, duke i dhënë atyre cilësi të cilat i zotëron vetëm Allahu, duke besuar kështu se ata japin jetë dhe vdekje, si dhe përkujdesen për gjithësinë. Ndërsa një grup tjetër nuk i besojnë këto, por ata i marrin këta njerëz gjatë jetës dhe vdekjes së tyre si ndërmjetës mes tyre dhe Allahut. Një besim i tillë nuk ka dyshim se është një kundërshtim i qartë me bazat e fesë, ndërkohë që vetë Kurani e Suneti na mësojnë se askush veç Allahut nuk mund t’i sjellë dobi apo dëm krijesave. Mesazhi Kuranor në lidhje me këtë është i qartë kur thotë: “Thuaj: “Unë nuk mundem t’ju largoj ndonjë dëm e as t’ju sjell ndonjë dobi”.[7] Të tilla kanë qenë edhe mesazhet e Profetit, i cili i drejtohet njerëzve më të shtrenjtë me këto fjalë: “O Fatime! O bija e Muhamedit! Kërkomë nga mirësitë e kësaj bote ç’të duash, por në botën tjetër nuk mund të të ndihmoj dot tek Allahu”.[8]

–           Sufitë besojnë se feja është e përbërë nga sheriati dhe vërtetësia (hakikati); sheriati është ana e dukshme e fesë dhe është një derë nga ku mund të hyjnë të gjithë, ndërsa vërtetësia është fshehtësia e fesë tek e cila mund të arrijnë veçse të zgjedhurit (shejlerët sufi batini).[9]

Është më se e qartë, se ide dhe besime të tilla çojnë në lindjen e rrymave të reja në mesin e sekteve sufiste, ku çdo velij mund të zgjedhë rrugën dhe metodën e tij të adhurimit e më pas të ftojë ndjekësit e tij ta adhurojnë Zotin sipas kësaj metode. Ali ibën Muhamed Dahilullah në lidhje me këtë thotë: “Në realitet sektet dhe rrymat sufiste janë të shumta, aq sa nuk mund të llogariten, për faktin se secili prej atyre që dëshiron të shpikë ndonjë rrugë mund ta bëjë e më pas e emërton atë me emrin e vet, të fisit apo të vendit nga ai vjen. Një gjë e tillë vihet re në masë të madhe në Afrikë, ku kohë pas kohe del një rrymë e re e sufizmi.[10]”

Ndërsa dr. Sabir Taijme thotë se rrugët e sufizmit e kalojnë shifrën prej 66 rrugësh e rrymash.[11] Përderisa rrugët dhe rrymat e sufizmit lindin si shkak i epshit apo hamendësive është e vështirë t’i përmendësh të gjitha në një shkrim modest si ky, por ne do të mundohemi të përmendim disa nga më të përhapurat mes muslimanëve, duke përçuar nëpërmjet këtij shkrimi të shkurtër zërin e këshillës tek muslimanët, që të mos bien pre’ e humbjeve dhe e lajthitjeve të tilla, për të cilat Profeti ynë na ka paralajmëruar që 1400 vite para.

Disa nga tarikatet sufi.

1-       Gjejlanie (ose siç njihet gjerësisht në trojet tona kadiri): Kjo rrymë i atribuohet Abdul Kadër Gjejlanit (470-561 h), i cili është varrosur në Bagdad e ku për çdo vit shkojnë ta vizitojnë varrin e tij me mijëra pasues të kësaj rryme me arsyen që të marrin bereqet prej varrit të tij, e ku shumë të tjerë e lusin edhe për nevojat e tyre.[12]

2-       Rrufaitë: Këta janë ndjekësit e Ahmed Rrifait (512-580 h), ku pasuesit e kësaj rryme përdorin shpata për t’u shpuar, hyjnë në zjarr, apo përdorin dhe shpuarjen me shtiza për të treguar mrekullitë që u janë dhuruar. Dijetari i mirënjohur Elusiu ka thënë për ata: “Njerëzit me sherrin më të madh për fenë dhe shtetin në këto kohë janë pikërisht rrufaitë”.

3-       Nakshibenditë: Këta janë ndjekësit e Bahaudin ibën Muhamed ibën Muhamedit (717-791 h). Nakshibend është fjalë e ndërtuar nga fjalët arabisht Nakshdhe persisht Bend, që do të thonë skalitje dhe qëndisje. Nakshibenditë besojnë se ata me rrugën e tyre dhe ziqrin që bëjnë skalisin dhe qëndisin dashurinë e Allahut në zemrat e veta. Edhe kjo rrymë si shumë të tjera dallohet me rrabitanë (lidhjen) që bën pasuesi me shehun e tyre -të vdekur prej vitesh-, gjatë ziqreve të ndryshme e me anë të së cilave lidhen shpirtrat e tyre. Allahu na ruajt nga lajthitje të tilla.

4-       Berreleuije: Rrymë kjo e cila ka dalë në Indi në vendin e quajtur Berrjeli. Kjo rrymë ka dalë në kohën e pushtimit anglez. Themeluesi i saj është Ahmed Rida Hani (1865-1921), i cili më pas e quajti veten Abdu Mustafa (robi i të zgjedhurit – profetit).[13] Besojnë se Profeti ka forcë që të ndërhyjë në gjithësi, madje ata shkuan edhe më tej në ekstremizmin e tyre, kur njëri prej udhëheqësve të tyre Ahmed Rida Han shprehet: O Muhamed, nuk mund të them ty Allah, por as nuk mund të të ndaj dot prej Tij –pra ti e Ai jeni gati një apo të përngjashëm-. Vallë a ka lajthitje më të madhe se kjo?! Allahu na ruajt nga lajthitjet e mendjes dhe rrëshqitja e këmbës.

5-       Sulejmanxhitë: Një ndër tarikatet e shumta ekzistuese në Turqi. Sulejmanxhitë rrjedhin nga tarikati Nakshibendi, i cili është krahu i tyre, por që për shkak të disa mosmarrëveshjeve janë ndarë në sekt më vete. Shehu shpirtëror i tyre është Sulejman Hilmi Tunahani (1888-1959). Ndjekësit e kësaj rryme besojnë se Sulejmani rrjedh nga familja e Profetit, dhe se ai kontakton me Allahun e Profetin, ku më pas ai ripërtërin fenë. Parimi kryesor tek Sulejmanxhitë sikurse në shumë rryma të tjera është vendosja e Rrabitës (lidhjes) midis pasuesve sulejmanxhi dhe shehut të tyre Sulejmanit. Rrabita është që muridi (apo pasuesi) të jetë me abdes dhe të vendosë para tij një foto të shehut apo ta imagjinojë atë e me anë të ziqrit muridi ndjen se nuri/drita e shehut i ka arritur në zemër, gjë e cila e rigjallëron muridin. Ata shprehen se shehu i tyre Sulejmani ka thënë: “Kush bën rabita me mua të mos i frikësohet xhehenemit”. Legjenda të tilla janë të pafundme në mesin e sufive, gjë e cila tregon se sa larg mund të shkojë njeriu kur nuk e merr fenë e tij nga Kurani dhe Suneti Profetik, dhe se ata kanë shpikur adhurime, të cilat nuk i ka ligjëruar Allahu e as Profeti.

6-       Nurxhitë: Pasuesit e Bediu Zaman Sejid Nursiut, të cilët janë me shumicë në Turqi edhe në trojet shqiptare.[14]

7-       Diubenditë: Ky është një grup i përhapur në Indi dhe Pakistan, ndjekësit e të cilit në fikh janë Hanefi, në akide Maturidi, ndërsa në sjellje dhe veprime kanë ndikim të madh nga sufitë. Edhe pse brenda Diubendive ka njerëz që janë afër Sunetit dhe janë përpjekur për këtë fe dhe përhapjen e saj, duhet theksuar se ndër ta ka të atillë që janë të zhytur në sufizmin e marrë nga Nakshibenditë, aq sa gjen tek ata shenjtërimin e varreve dhe vepra të cilat në disa raste janë edhe shirk.

8-       Shadhilitë: Udhëheqësi shpirtëror i sektit Shadhili është Ebu Hasen Shadhiliu (vdekur më 656 h), në Egjipt. Ky sekt ka përhapje në Egjipt edhe në Turqi, madje edhe Sulltan Abdulhamidi i dytë pas kontakteve të tija me shehun e Shadhilive të kohës së tij u ndikua disi prej tyre duke kryer kështu disa rituale si: ziqri në mënyrën dhe formën që ata e kryenin.[15]

9-       Bektashitë: Sekt i cili është një përzierje mes sufizmit dhe shiizmit, themeluesi i të cilit është Haxhi Bektashi (1248). Pasuesit e këtij sekti sot gjenden më shumë në Turqi, Egjipt dhe Shqipëri. Në këtë të fundit është përhapur meqë me një protokoll të veçantë mbretëror u urdhërua mbyllja e të gjitha teqeve në Turqi dhe eliminimi i këtij tarikati. Pasi gjeti vend të përshtatshëm në Shqipëri, shejlerët  bektashi e përhapën sektin e tyre duke ngritur teqe nëpër varre e duke bërë adhurime të ndryshme nga ato të muslimanëve, aq sa ngjajnë më shumë me krishterimin, sesa me Islamin[16]

Përveç këtyre ka edhe shumë rryma të tjera sufiste, që gjenden kryesisht në mesin e muslimanëve të paditur, të cilët zakonisht bien pre’ e tyre si shkak i mashtrimeve dhe i legjendave të tyre. Por ajo që është e përbashkët mes tyre është shenjtërimi i të vdekurve, u japin atyre atribute, të cilat mund t’i ketë vetëm Allahu, dhe kryerja e shumë adhurimeve në teqetë që kanë varret e tyre, apo adhurimi i vetë varreve të tyre. Ndërkohë që Profeti ynë Muhamedi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Njerëzit më të këqij janë ata që i marrin varret si xhami”.[17]

Në një hadith tjetër ai ka thënë duke tërhequr vërejtjen nga kjo vepër: “I mallkoftë Allahu Çifutët dhe të Krishterët, sepse ata i morën varret e profetëve të tyre xhami/vend adhurimi”.[18]

Lexues i nderuar! Mesazhi i Kuranit është i qartë e i kuptueshëm nga të gjithë, a nuk e sheh se ai nuk le vend për abuzime? Allahu aty na drejtohet duke na treguar mesazhin e Profetit: “Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat”.[19]

Vëlla i nderuar! Motër e shtrenjtë! Njeriu që e ka adhuruar Allahun në mënyrën më të mirë dhe më të përsosur ka qenë Profeti dhe pasuesit e tij, ndaj dhe ajo e cila nuk ka qenë në atë kohë fe, kurrsesi nuk mund të jetë as sot fe. Aishja na përcjell se Profeti ka thënë: “Kush punon diçka, e cila nuk është prej nesh, ajo është e refuzuar”.[20]

 

Shkruan: Bledar Haxhiu

Burimi: albislam.com

 

 


[1]  Et-Teseuf: el-Menshe uel-Mesder, fq. 28.

[2]  Sure Maide, 72.

[3]  Meusuatu mujesera fil firaki uel medhahib, v. 1, fq. 261.

[4]  Pra, Profetët nuk kanë arritur të fitojnë dot njohuritë që i kanë arritur sufitë.

[5]  Nëse dikush beson në këtë mënyrë për Profetin, atëhere ç’ngeli të besojë për Allahun?

[6] Buhari.

[7] Sure XHIN, 21.

[8] Buhari dhe Muslimi. Nëse një gjë e tillë nuk është e drejtë e Profetit, atëhere të mos i shkojë ndërmend dikujt se ai mund të ndërmjetësojë për të ke Allahu, sidomos sipas parimeve dhe mënyrës që besojnë sufitë.

[9] Meusuatu mujesera fil firaki uel medhahib [v. 1, f.262]

[10] Sufije mutakadan ue mesleken f. 41.

[11] Firak Muasira, f. 894.

[12] Duke rënë kështu në shirk, i cili është gjynahu më i madh, sepse i drejtohesh krijesës për ato gjëra, të cilat janë meritë vetëm e Allahut.

[13] Një gjë e tillë është e ndaluar në Islam, sepse ajo është atribut vetëm i Allahut, pra, njeriu është rob i Allahut e i askujt tjetër.

[14]  Nuk po zgjatemi me shtjellimin e këtij sekti për faktin se ai është trajtuar në numrin e kaluar të revistës.

[15]  Sulltan Abdulhamid thani bejne insafi ue xhuhud fq. 251.

[16]  Për këtë sekt ndoshta do të flasim më shumë në ndonjë shkrim të veçantë.

[17]  Ahmedi sahih.

[18]  Buhari.

[19]  Sure Enamë, 153.

[20] Buhariu dhe Muslimi.