Ateizmi i ri: një fantazi e obsesionuar kundër myslimanëve

CJ Werleman

Kurdoherë që përdor termin Ateizëm i Ri, më pyesin, “Çfarë është ky e çfarë është ateizmi i vjetër?” Kështu që më lejoni të qartësohem.

Wikipedia e përkufizon Ateizimin e Ri si një “lëvizje politike dhe shoqërore” që mbron pikëpamjen se “besimi fetar nuk duhet thjesht të tolerohet, ai duhet konfrontuar, kritikuar dhe të ekspozohet me argumenta racionale kudo që ai shfaqet”. Enciklopedia e Filozofisë në Internet thotë që Ateizimi i Ri është saktësisht tërësia e pikëpamjeve antifetare të Richard Dawkins, Sam Harris dhe Christopher Hitchens [ateistë bashkëkohorë të njohur].

Kur sjell ndërmend Ateizmin e Ri unë kam parasysh lëvizjen reaksionare antifetare pas 11 shtatorit [2001], që kërkon me ngulm zhdukjen e besimit fetar, kudo e kurdo që i del para.

Ateistët e Rinj e kanë bërë të tyren nëntitullin e famshëm të Hitchen-it, “feja helmon gjithçka”, e cila është një bindje e bazuar në ndjenjë jo në fakt. Në terma më të thjeshtë, Ateizmi i Ri është bindja që feja është burimi i shumicës ose të gjitha problemeve në botë. Një bindje e rreme që gjatë 100 viteve të fundit prodhoi vrasjet masive të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, kolonializmit, komunizmit, imperializmit, Koresë, Vietnamit dhe luftës në Irak – ndërsa të gjitha nuk kishin asnjë lidhje me fenë.

Ka rëndësi të bëjmë dallim mes ateizmit dhe Ateizmit të Ri, sepse ateizmi, në vetvete, është një pohim jo pozitiv. Ateizmi im, për shembull, do të thotë që unë besoj se nuk ka Zot. Ateizmi është i paqartë në faktin nëse Zoti dhe feja janë të mirë apo të këqij. Në çastin që ateisti del jashtë këtij prizmi, dhe përqafon përkufizimin e sipërpërmendur për Ateizmin e Ri, atëherë ai nuk është më ateist. Atëherë ai është një anti-teist.

Dan Harmon, krijuesi i programit televiziv “Community” kritikoi Ateistët e Rinj në një Tweet, “Ju ngatërroni ateizmin “unë s’besoj në Zot” me antagonizmin “Ju s’besoni në Zot.”

Ateistët e Rinj janë të fiksuar sidomos me islamin. “Ateistët e Rinj kanë flirtuar e herë-herë e kanë përqafuar me forcë armiqësinë irracionale kundër myslimanëve,” shkruan Glenn Greenwald. Pse ky pohim i Greenwald kaq i vërtetë? Ateistët e Rinj janë krejtësisht të njësuar me narrativën e “përplasjes së qytetërimeve.”

Ateistët e Rinj janë të kyçur në fantazinë perëndimore përdhuno-dhe-shpëto. Ateistët e Rinj besojnë se janë të dërguar për të shpëtuar Lindjen e paqytetëruar. Ata janë çlirimtarët perëndimorë moralisht të pagabueshëm të “kontinentit të zi”. Me fjalë të tjera, ata janë në një mision jo hyjnor për të shpëtuar gratë e Lindjes nga burrat e zinj. “Fantazia përdhuno-dhe-shpëto nxit rolin e narratorit të çlirimtarit perëndimor si integral i fantazisë së shpëtimit kolonial,” shkruan Ella Shohat në një ese të titulluar “Gjinia në Orientin e Hollivudit”.

Kjo fantazi i ka kyçur Ateistët e Rinj dhe terroristët islamikë në një marrëdhënie simbiotike. Të dyja, al-Qaeda dhe Ateizimi i Ri nuk mund të ekzistojnë pa njëri-tjetrin. Propaganda e Ateizimit të Ri deklaron, “Ne jemi në luftë me Islamin.” Propaganda e al-Qadeas thotë, “E shikoni, perëndimi i ka shpallur luftë Islamit”. Të dyja shërbejnë si instrumente rekrutimi për njeri-tjetrin.

Ateistja e Re e njohur Ayaan Ali Hirsi, për shembull, është folësja kryesore në konventën e Ateistëve Amerikanë të këtij viti. Emri i saj është e garantuar që do të rritë shitjen e biletave te Ateistët e Rinj entuziastë. Pse? Një herë ajo bëri thirrje për luftë ushtarake kundër Islamit – jo kundër ekstremizmit islamik, por vetë Islamit, dhe shprehu keqardhje për vrasësin në masë, islamofobin norvegjez, Anders Breivik. Nderimi publik për Hirsin si një zë i “arsyes” mes Atestëve të Rinj nënvizon karakterin agresiv të gjithë lëvizjes së Ateistëve të Rinj.

Si fundamentalistët fetarë, Ateistët e Rinj janë kyçur në të menduarit magjik. “Nëse edukojmë dhe manipulojmë” besimtarë të mjaftueshëm në numër në mënyrën tonë të të menduarit – “e vërteta” – atëherë bota do të bëhet prefekte – problemet tona do të zhduken. Kjo është psikoza e ëndrrave utopiste. Është miti i madh dhe i rrezikshëm i Iluminizmit. Një mit që na “mësoi se mjedisi ynë, mjedisi ynë shoqëror dhe material mund të transformohet përmes manipulimit shkencor dhe racional,” shkruan Chris Hedges. “Besimi te manipulimi shkencor dhe racional i qenieve njerëzor që të realizojnë një botë të përsosur i ka çuar miliona viktima të pafuqishme drejt persekutimit dhe vdekjes.”

Këto ëndrra utopike na dhanë racizmin shkencor, programet e sterilizimit nazist dhe komunist, dhe masakrat antifetare të shekullit të 20-të. Ateistët e Rinj, të cilët janë kryesisht të bardhë, klasë e mesme, janë të mbështjellë në mbivlerësimin e tyre për veten. Ata janë të paaftë të vlerësojnë dallimet ose njerëz që përmbajnë më shumë se karikatura një dimensionale e përkufizuar nga aspektet më negative të teksteve të tyre fetare. Nëse Bibla thotë, “Vrit me gurë shkelësin e kurorës”, atëherë gjithë të krishterët reduktohen në vrasës me gurë të shkelësve të kurorës. Nëse Kurani thotë, “Shpallu luftë jo besimtarëve”, atëherë gjithë myslimanët janë luftënxitës e vrarës të ateistëve.

Për më tepër, Ateistët e Rinj janë thellësisht kundër idesë që feja mund të frymëzojë njerëzit të bëjnë gjëra të mira, e për këtë arsye Sam Harris dhe Richard Dawkins tallen me besimin e Martin Luther King-ut. Në mendjen e tyre, pavarësisht faktit që Dr. King kishte deklaruar shumë herë se ishte frymëzuar nga ungjilli social i Testamentit të Ri, Dawkins dhe Harris pretendojnë se ai ishte frymëzuar nga idealet humane shekullare. Ateistët e Rinj vënë në dyshim dhe besimin fetar të Gandit, Muhamet Aliut (“Asnjë vietnamez nuk më ka quajtur ndonjëherë negro”), e kështu me radhë.

Mbivlerësimi i vetes është gjithashtu arsyeja bazë pse Ateistët e Rinj janë të verbër ndaj dhunës së shtetit. Ata janë të verbër ndaj faktit që dhuna jo shtetërore është gjithmonë reagim ndaj dhunës shtetërore. Ata përdorin standarde të dyfishta: dhuna shtetërore është barbare dhe çnjerëzore, kurse dhuna e shtetit, dhuna jonë, është racionale, humane dhe arsyeshme.

Ky mbivlerësim personal e shfaq veten në misione hipnotike dhe të rrezikshme. Këtu fantazia përdhuno-dhe-shpëto materializohet në thirrje për dhunë. Të dy, Hitchens dhe Harris bënë fushatë për luftën në Irak, e cila jo vetëm vrau 200 000 civilë irakianë, por krijoi gjithashtu urrejtjen me të cilën ushqehet terrorizmi. Kjo urrejtje nxiti ata që vendosën bombën në Boston, sulmin në Sidnei dhe Paris. Harris e quajti pushtimin një “mision humanitar”, tha se tortura në luftën kundër terrorit mund të jetë “moralisht e nevojshme”, dhe është pro skedimit racor, kurse Hitchens besonte se pushtimi ushtarak i Irakut do të krijonte një botë të “sunduar nga arsyeja dhe virtyti.”

Mbivlerësimi për vete është shkaku pse Ateistët e Rinj nuk përpiqen të hetojnë Tjetrin. Në mendjen e tyre, feja është e keqe; prandaj aktet e këqija janë motivuar nga feja. Pas sulmeve në Paris [revista satirike], Dawkins shkroi në Tweeter, “Jo gjithë myslimanët janë terroristë, por nuk është nevoja t’ua them [se cili është] besimi fetar i terroristëve.” Në mendjen e Dawkins, terrorizmi nis e mbaron me Islamin. Dawkins nuk e vëren që “terrorizëm” është një term arbitrar (ne nuk e përdorim atë për dhunën shtetërore ose dhunën tonë), por ai demonstron mungesën e dëshirës të hetojë kushtet që ushqejnë terrorizmin: shqetësimet politike, qëndresa ndaj pushtimit, varfëria vrasëse, braktisja, diskriminimi, hakmarrja dhe pafuqia.

Ateistët e Rini, të shkolluar, kryesisht të bardhë, jetojnë në lagje të pasura të vendeve të zhvilluara. Ndodh që ata i përjetojnë vështirësitë që jeta na ofron shpesh, por ata nuk e njohin dëshpërimin në ish-kolonitë perëndimore. Ata nuk e kuptojnë çdo të thotë të jetosh me më pak se dy dollarë në ditë, në një regjim që e kufizon lirinë. Ateistët e Rinj nuk e kuptojnë dot çdo të thotë të abuzohesh për arsye racore, të skedohesh nga agjencitë e sigurisë, të torturohesh, bombardohesh, pushtohesh dhe të burgosesh pa gjyq. Ata nuk e kuptojnë dot as si ndihet njeriu që jeton pa asnjëfarë kontrolli mbi të ardhmen. Në vend që të përpiqen të kuptojnë Tjetrin, Ateistët e Rinj shenjtërojnë superioritetin e tyre material.

Fiksimi te feja si burimi i problemeve të botës është tërësisht në kundërshtim me realitetin. Në fakt, është krejtësisht zhgënjyes. Ajo që është gabim në Lindjen e Mesme nuk është Islami, por regjimet despotike, autokratike që sundojnë duke përfituar nga patronazhi i Amerikës. Ajo që është gabim në Perëndim nuk është krishterimi, por fashizmi i tregut të lirë: tregtia e lirë, ndotja masive, ndryshimi klimaterik, pabarazia e të ardhurave, diferenca e pasurisë, racizmi dhe emigrimi që vjen nga vendet që kanë rrëshqitur në kaos – shumica si pasojë e politikave perëndimore (tregu i lirë, ndryshimi klimaterik, lufta kundër terrorizmit dhe drogës). Dhe ajo që është gabim në Izrael nuk është judaizmi – shumica e themeluesve të Izraelit dhe udhëheqësit e tanishëm ishin ose janë ateistë – por aparteidi, grabitja e tokës dhe poshtërimi i popullsisë arabe.

Fantazia përdhuno-dhe-shpëto i verbon Ateistët e Rinj të shikojnë këto probleme në vendin e tyre. “Të pa civilizuarit” në vende të tjera kanë nevojë të shpëtohen nga evangjelistët e qytetërimit perëndimor, ose kështu thonë ata. Fokusimi te padrejtësitë sociale në vendet me shumicë myslimane duhet të bëhet paralel me normalizimin e faktit që 50 milionë amerikanë jetojnë në varfëri të thellë, dhe që Amerika ka 25 për qind popullsisë së burgjeve në botë.

Unë kam qenë Ateist i Ri. Nuk jam më. Tani jam ateist i modelit të vjetër. Jetova një dekadë në vend me shumicë myslimane. Tani jetoj në SHBA. Pasi i kam konsideruar si vendim tim të dyja, Lindjen dhe Perëndimin, ju garantoj që ne nuk e çmojmë jetën më shumë se ata që i bombardojmë, pushtojmë ose poshtërojmë. Nëse dikush ka nevojë të shpëtohet, gjasat më të mëdha janë që jemi ne.

Marre nga Middleeasteye