Arsyeja #3 – Kur’ani (A kemi arsye të mira për të besuar?)

Kurani nuk është libër i zakonshëm. Ka qenë përshkruar nga shumë njerëz – të cilët janë marrë me të – si tekst imponues, por mënyra se si i imponohet lexuesit nuk është negative, madje është pozitive. Kjo për shkak se përpiqet që të merret pozitivisht me mendjen dhe emocionet tuaja dhe e arrin këtë duke bërë pyetje të rëndësishme, të tilla si: “Prandaj, nga po ia mbani? Ai (Kurani) është veçse këshillë për botët: për secilin nga ju që dëshiron të ndjekë rrugën e drejtë.”[1] dhe “Vallë, a nuk mendojnë ata në vetvete?.[2]

Mirëpo, Kurani nuk ndalet këtu, në fakt, sfidon tërë njerëzimin në lidhje me autorësinë e tij hyjnore; me shumë guxim thotë: “Nëse ju dyshoni në atë që ia kemi zbritur robit tonë (Muhamedit a.s.), atëherë hartoni një sure të ngjashme me atë që ia kemi shpallur atij! Thirrni në ndihmë edhe dëshmitarët tuaj (që i adhuroni) në vend të Allahut, nëse jeni të sinqertë. Nëse nuk mundeni, dhe kurrsesi nuk do të mundeni, atëherë ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët dhe që është përgatitur për të ndëshkuar mohuesit.[3]

Kjo sfidë ka të bëjë me mrekullitë e ndryshme në Kuran, madje edhe brenda kapitullit të saj më të shkurtër, që na japin arsye të mira për të besuar se është prej Zotit. Disa nga këto arsye janë historike dhe shkencore.

 

Historike

Ka shumë deklarata historike në Kuran, që na japin arsye të mira për të besuar se ai është prej Zotit. Një prej tyre është se, Kurani është i vetmi tekst fetar që përdor emra të ndryshëm për sundimtarët e Egjiptit në kohë të ndryshme. Për shembull, kur flet për sunduesin e Egjiptit në kohën e Profetit Jusuf (Jozef), është përdorur fjala “El-Melik” (arab. الملك), që i referohet një mbreti (shënim: gjatë mbretërisë së mesme të vjetër, Egjipti qeverisej nga famijlet aziatikeHyksos dhe ata nuk e përdornin titullin “Faraon”, siç e përmend Kurani: “Mbreti tha: “Sillmani atë!””).[4]

Në anën tjëtër, sunduesi i Egjiptit në kohën e Profetit Musa (Mojsi), është i përmendur si “Faraon” (Fir’aûn; arab. فرعون). Ky titull i veçantë filloi të përdorej në shekullin e 14-të para erës sonë, gjatë sundimit të Amenhotepit IV. Kjo është pohuar edhe nga Enciklopedia Britanika (Encyclopaedia Britannica), e cila thotë se fjala “Faraon” ishte titull respekti, i përdorur nga Mbretëria e Re (duke filluar me dinastinë e 18-të; 1539-1292 para erës sonë) deri në dinastinë e 22-të (945-730 para erës sonë). Pra, Kurani është historikisht i saktë, meqë Profeti Jusuf jetoi të paktën 200 vjet para asaj kohe dhe fjala “Mbret” ishte përdorur për mbretërit Hyksos, e jo për Faraonin.

Në dritën e kësaj që u tha, si mund të ketë ditur Profeti Muhamed një hollësi kaq të imët historike? Sidomos kur të gjitha tekstet e tjera fetare, si Bibla, e përmendin Faraonin si një titull për të gjitha kohërat? Gjithashtu, pasiqë njerëzit në kohën e shpalljes nuk e dinin këtë informacion e hieroglifet ishin një gjuhë e vdekur, çfarë na thotë kjo për autorësinë e Kuranit? Nuk ka asnjë shpjegim natyror.

 

Shkencore

Kurani, gjithmonë e përmend natyrën si një shenjë për ekzistencën e Zotit, Fuqinë dhe Madhështinë e Tij. Sa herë që këto shenja përmenden, pasqyrohen me një saktësi të madhe dhe gjithashtu na japin informacione që nuk kanë mundur të jenë të njohura në kohën e Profetit Muhamed. Një nga këto shenja përfshin funksionin dhe strukturën e maleve.

Kurani përmend se malet kanë strukturë si “shtylla” dhe se ato janë ngulitur në tokë për ta stabilizuar atë, një koncept i njohur në gjeologji si izostasi. Kurani përmend: “Ne vendosëm nëpër Tokë male të patundura, që ajo të mos lëkundet bashkë me njerëzit…”[5] dhe “A nuk jua kemi bërë Tokën si shtrat e malet si shtylla?!”[6]

Përshkrimet elokuente Kuranore të fakteve të përmendura më lart, janë pohuar edhe nga shkenca moderne vetëm në fund të shekullit 20-të. Në librin “Toka” (Earth), nga Dr. Frank Press, ish-drejtor i Akademisë Kombëtare të Shkencave në SHBA, thotë se malet janë si kunje dhe janë të futura thellë nën sipërfaqen e Tokës.[7]

Në lidhje me rolin thelbësor të maleve, më parë mendonin se malet ishin thjesht ngritje që ngriteshin mbi sipërfaqen e Tokës. Megjithatë, shkencëtarët kuptuan se kjo nuk ishte e vërteta, por se pjesët e njohura si rrënjë të malit, zgjaten poshtë nga 10 deri në 15 herë më shumë se lartësia e tij. Me këto veçori, malet luajnë rol të ngjashëm me një gozhdë apo kunj që e mban në mënyrë të vendosur një tendë, e, kjo është zbuluar nga kërkimet moderne gjeologjike dhe sizmike, koncept që njihet si izostasi.[8]

Në përfundim, si mund ta shpjegojmë këtë, duke e pasur parasysh se kjo është zbulim i shkencës gati më të fundit (duke mos e ditur askush këtë informacion në kohën e shpalljes së Kuranit)? Çfarë na thotë kjo për autorin e Kuranit? Përsëri, nuk ka asnjë shpjegim natyror.

__

[1] Kuran: kaptina 81, vargjet 26-28

[2] Kuran: kaptina 30, vargu 8

[3] Kuran: kaptina 2, vargjet 23-24

[4] Kuran: kaptina 12, vargu 50

[5] Kuran: kaptina 21, vargu 31

[6] Kuran: kaptina 78, vargjet 6-7

[7] Frank Press dhe Raymond Siever, “Toka”, edicioni i 3-tw. (San Francisko: W. H. Freeman & Company: 1982)

[8] M. J. Selby, “Sipërfaqja Ndryshuese e Tokës (Earth’s Changing Surface), (Oksford: Clarendon Press: 1985), 32.

Një Arsye