6 – Njohja e Zotit (Feja e vërtetë e Zotit)

Pyetja që lind këtu është: Si mund të pritet që të gjithë njerëzit të besojnë në Zotin e vetëm të vërtetë kur kemi parasysh prejardhjen e tyre, shoqëritë dhe kulturat që ndryshojnë nga njëra ¬tjetra? Që njerëzit të mbajnë përgjegjësi për adhurimin e Zotit të vetëm mjafton të kenë mundësi ta njohin Atë. Zbulesa e fundit mëson se të gjitha qeniet njerëzore e kanë të skalitur në shpirtrat e tyre njohjen e Zotit të vetëm e të vërtetë si pjesë e vetë natyrës së tyre në të cilën janë krijuar.

Në kapitullin (suren) e shtatë të Kur’anit (A’rafë, ajetet 172¬173), Zoti ka shpjeguar se kur e krijoi Ademin bëri që tërë pasardhësit e Ademit të vinin në ekzistencë dhe Ai mori betimin e tyre duke u thënë:

“A nuk jam Zoti juaj?” E ata u përgjigjën: “Po, dëshmuam!”

Allahu më pas shpjegon përsenë e dëshmimit të gjithë njerëzimit, se Ai është Krijuesi i tyre dhe i vetmi Zot i vërtetë që e meriton adhurimin. Ai tha:

“Të mos thoni në Ditën e Kijametit: “Ne nga ky (dëshmim) ishim të panjohur!” (A’rafë, 172).

D.m.th. se nuk mund të pretendojmë në atë ditë se nuk e dinim se Allahu ishte Zoti ynë dhe se askush nuk na e tha që vetëm Allahun duhet të kishim adhuruar. Allahu na ka shpjeguar gjithashtu se:

“Ose të mos thoni: Prindërit tanë më parë ishin idhujtarë, e ne ishim pasardhës të tyre. A do të na shkatërrosh ne për atë që bënë ata asgjësues të së vërtetës?” (A’rafë, 173).

Pra, çdo fëmijë lind me besim natyror në Zot dhe me prirje për adhurimin vetëm të Tij. Ky besim dhe prirje e lindur në gjuhën arabe quhet “Fitra”.

Pejgamberi Muhammed, paqja qoftë mbi të, ka transmetuar se Allahu ka thënë: “I krijova robërit e Mi në fenë e drejtë, por shejtanët i devijojnë ata.”

Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, gjithashtu ka thënë: “Çdo fëmijë lind në gjendjen e natyrshmërisë (fitra). Pastaj prindërit e tij e bëjnë atë të fesë çifute, të krishterë ose zoroastrian.”

Nëse fëmija do të lihej i qetë, ai do ta adhuronte Zotin sipas mënyrës së vet, por të gjithë fëmijët ndikohen nga ambienti që i rrethon. Pra, ashtu si fëmija i nënshtrohet ligjeve natyrore, të cilat Allahu i ka vendosur në natyrë, po ashtu shpirti i tij i nënshtrohet në mënyrë natyrore faktit se Allahu është Zoti dhe Krijuesi i tij. Por, nëse prindërit e tij përpiqen ta detyrojnë të ndjekë një tjetër rrugë, fëmija nuk është i fortë sa duhet në fazat e para të jetesës së tij për të rezistuar ose kundërshtuar vullnetin e prindërve të tij. Në raste të tilla, feja që fëmija pason është prej traditës dhe prej rritjes dhe Zoti nuk e ngarkon me përgjegjësi ose nuk e ndëshkon për këtë fe deri në një fazë të caktuar të jetës së tij.

Pjesë e shkëputur nga libërthi “Feja e vërtetë e Zotit” të autorit Dr. Bilal Philips