4 – Mesazhi i feve të rreme (Feja e vërtetë e Zotit)

Në botë ka shumë sekte, kulte, religjione, filozofi e lëvizje dhe që të gjitha pohojnë se janë rruga e drejtë ose e vetmja drejt Zotit! Si mund ta gjejmë se kush është e sakta, apo që të gjitha janë të sakta?!
Një metodë ndihmëse për gjetjen e përgjigjes është shmangia e dallimeve sipërfaqësore në mësimet e pretenduesve të ndryshëm të së vërtetës së plotë dhe identifikimi i objektit qendror të adhurimit në të cilin secila prej tyre fton drejtpërdrejt ose tërthorazi. Fetë e rreme kanë të përbashkët një koncept bazë lidhur me Zotin: ose pretendojnë se të gjithë njerëzit janë zota, ose se njerëz të caktuar kanë qenë zota, ose se natyra është Zot, ose se Zoti është një pjellë e imagjinatës së njeriut.
Pra, mund të thuhet se mesazhi bazë i feve të rreme është se Zoti mund të adhurohet në formën e krijimit të Tij. Fetë e rreme e ftojnë njeriun në adhurimin e krijimit duke e quajtur krijimin ose disa aspekte të tij Zot. Për shembull, Pejgamberi Isa, paqja qoftë mbi të, i ftoi pasuesit e vet të adhuronin Zotin, por ata që pretendojnë të jenë pasues të tij sot i ftojnë njerëzit në adhurimin e Jezusit, duke pohuar se ai ishte Zot.
Buda ishte një reformator që solli një sërë parimesh humaniste në fenë e Indisë. Ai nuk pretendoi të ishte Zot e as nuk u sugjeroi pasuesve të vet që ta shndërronin në objekt adhurimi. Megjithatë, sot shumica e budistëve, të cilët gjenden jashtë Indisë, e kanë marrë atë si Zot dhe i përkulen idhujve të bërë sipas parafytyrimit të tyre për Budën.
Duke vënë në zbatim parimin e identifikimit të objektit të adhurimit, ne lehtësisht mund të dallojmë fetë e rreme dhe natyrën e shpikur të origjinës së tyre. Siç ka thënë Zoti në Kur’an:
“Ata që ju adhuroni përveç Allahut nuk janë tjetër vetëm se emra që pagëzuat ju dhe prindërit tuaj. Allahu nuk shpalli ndonjë fakt për ta, vendimi (në çështjen e adhurimit) nuk i takon kujt pos Allahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm se Atë. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Jusuf, 40).
Dikush mund të thotë se që të gjitha fetë mësojnë gjëra të mira, kështu që përse qenka kaq e rëndësishme se cilën pasojmë? Përgjigjja është se që të gjitha fetë e rreme u mësojnë njerëzve të keqen më të madhe: adhurimin e krijimit.
Adhurimi i krijimit është mëkati më i madh që mund të bëjë njeriu, pasi kundërshton vetë qëllimin e krijimit të njeriut. Njeriu u krijua që të adhurojë vetëm Zotin, siç ka theksuar Allahu në Kur’an:
“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër vetëm që të më adhurojnë.” (Dharijatë, 56).
Rrjedhimisht, adhurimi i krijimit, që në vetvete është thelbi i idhujtarisë, është i vetmi mëkat i pafalshëm. Kush vdes në këtë gjendje idhujtarie e ka vulosur fatin e tij në jetën tjetër. Ky nuk është një opinion, por fakt i shpallur nga Zoti në shpalljen e Tij të fundit drejtuar njeriut:
“S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujtdo.” (Nisaë, 48 dhe 116).
Pjesë e shkëputur nga libërthi “Feja e vërtetë e Zotit” të autorit Dr. Bilal Philips