1 – Cila është feja e Zotit? (Feja e vërtetë e Zotit)

Çdo njeri ka lindur në një rrethanë, të cilën nuk e ka zgjedhur vetë. Feja e familjes ose ideologjia e shtetit i imponohet atij që në zanafillën e ekzistencës së vet në këtë botë. Kur bëhet adoleshent, ai zakonisht është i shpëlarë nga trutë duke besuar se besimet e shoqërisë së cilës i përket janë besimet e drejta që duhet të ketë çdokush.

Megjithatë, kur disa njerëz piqen dhe përballen me sisteme të tjera besimi, atëherë zënë të vënë në dyshim vlefshmërinë e besimeve vetjake. Këta kërkues të së vërtetës në shumicën e rasteve arrijnë në një pikë konfuzioni kur kuptojnë se çdo fe, sekt, ideologji dhe filozofi pohon të jetë rruga e vetme e drejtë për njerëzit. Në të vërtetë, të gjitha ato përmbajnë disa pika të vlefshme dhe të arsyeshme dhe inkurajojnë njerëzit për të bërë mirë. Por, cila prej tyre është e vërteta? Ato nuk mund të jenë të tëra të drejta, meqenëse secila pohon se të tjerat janë të gabuara. Si arrin kërkuesi i së vërtetës të zgjedhë rrugën e drejtë?

Zoti na ka dhuruar të gjithëve mendjen dhe intelektin në mënyrë që ta marrim këtë vendim të rëndësishëm. Ky është vendimi më i rëndësishëm gjatë gjithë jetës për një qenie njerëzore. E ardhmja varet prej tij. Për rrjedhojë, secili prej nesh duhet të shqyrtojë larg pasioneve dëshmitë e paraqitura dhe të zgjedhë atë që i duket e drejtë, derisa të dalin në shesh dëshmi të tjera.

Si çdo fe ose filozofi tjetër, Islami pohon të jetë rruga e vetme e vërtetë drejt Zotit. Në këtë aspekt, ai nuk ndryshon nga sistemet e tjera. Kjo broshurë synon të japë disa prova të vlefshmërisë së këtij pohimi. Megjithatë, gjithmonë duhet pasur parasysh se rruga e drejtë mund të gjendet vetëm nëse lihen mënjanë emocionet dhe paragjykimet, të cilat janë shpesh burim i verbërisë sonë. Atëherë, dhe vetëm atëherë, ne do të jemi në gjendje të përdorim inteligjencën e dhuruar nga Zoti dhe të marrim një vendim racional dhe të saktë.

Argumentet që mund të avancohen në favor të mbështetjes së pretendimit të Islamit si feja e vërtetë e Zotit janë disa. Tre argumentet vijuese janë vetëm tre nga më kryesoret. Argumenti i parë bazohet në origjinën hyjnore të emrit të fesë dhe në domethënien e këtij emri. Argumenti i dytë lidhet me mësimet unike dhe të pakomplikuara të marrëdhënieve mes Zotit, njeriut dhe krijimit. Argumenti i tretë rrjedh nga fakti se Islami është universalisht i praktikueshëm nga njerëzit në të gjitha kohët. Këto janë tre argumentet bazë që logjika dhe arsyeja diktojnë si të domosdoshme që një fe të konsiderohet feja e vërtetë e Zotit. Faqet në vijim do t’i shtjellojnë më hollësisht këto koncepte.

Pjesë e shkëputur nga libërthi “Feja e vërtetë e Zotit” të autorit Dr. Bilal Philips