Kushti i parë i Imanit: Besimi në Allah

Kushti i parë i Imanit: Besimi në Allah

Besimi në Allah është detyrë mbi detyrat, obligim mbi obligimet dhe parimi themelor i fesë islame. Pa këtë besim nuk kanë kuptim jeta dhe ekzistenca jonë. Besimi në Allah është një domosdoshmëri e patjetërsueshme nga ku burojnë të gjitha parimet e tjera islame dhe kushtet e besimit. Gjithashtu, ky besim është treguesi kryesor i vlefshmërisë së punëve tona dhe i pranimit të tyre.

 

Argumenti logjik

Argumentet që vërtetojnë dhe faktojnë ekzistencën e Zotit janë të panumërta. Çdo gjë që na rrethon dëshmon për këtë, madje çdo krijesë, sado e vogël apo e thjeshtë qoftë, është argument më vete. Çdo send në këtë botë i përket dikujt. Nëse shtëpia është e një ndërtuesi, thënia e një folësi, libri i një shkrimtari, gravura e një gdhendësi, piktura e një piktori, vepra e një mjeshtri dhe produkti i një prodhuesi, atëherë dhe gjithësia është e një Krijuesi.

Ndër argumentet e shumta që të çojnë në njohjen e Zotit është dhe logjika, fuqia e arsyetimit, kjo dhuratë kaq e madhe që e dallon njeriun nga kafshët. Nëpërmjet kësaj dhurate njeriu njeh dhe kupton vetveten, dallon të keqen nga e mira dhe kupton se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e padrejtë. Arsyeja e pastër e njeriut e bën atë të pyesë: Kush jam unë? Pse ekzistoj? Nga erdha, ku ndodhem dhe ku do të shkoj?

Të gjitha krijesat ndryshojnë me kalimin e kohës nga një gjendje në tjetrën dhe të gjitha janë subjekt i ndryshimit dhe i zhvendosjes. Të gjitha ecin drejt një vendi të paracaktuar. Vetë njeriu dhe toka ku jeton, si dhe trupat qiellorë që e rrethojnë, lëvizin sipas një rendi të caktuar. Sa e çuditshme, edhe elektronet, si grimca më të vogla që janë, sillen e rrotullohen rreth bërthamës së atomit ashtu siç rrotullohen planetët në sistemin diellor. Pra, çdo gjë është në lëvizje, ka një fillim dhe një mbarim. Amos vallë kjo është diçka e rastësishme? Asgjë nuk erdhi vetë dhe as vetvetiu, sepse asgjëja nuk jep gjë, pra s’mund të krijojë. Ashtu dhe ajo që është, nuk e krijoi dot veten 5

e vet dhe asgjë tjetër jashtë saj. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “A nuk e përkujton njeriu se Ne e krijuam atë më parë, kur ai nuk ishte asgjë?!” Merjem, 67. Në një verset tjetër Ai thotë: “A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo ata janë krijuesit e vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?!” Et-Tur, 35-36.

Krijesat e panumërta dhe ndryshimi mes tyre, shumëllojshmëria e gjallesave, bimëve dhe kafshëve, e frutave dhe e ushqimeve dëshmojnë për autorin e tyre. Ne, si njerëz, jemi dëshmitarë se në këtë botë asgjë nuk funksionon vetvetiu, por çdo gjë ka një shkak dhe çdo shkak sjell një pasojë. Kush i krijoi qiejt dhe tokën, kush i nënshtroi në lëvizje planetët, yjet, Diellin dhe Hënën? Kush e bëri tokën të banueshme dhe vendosi në harmoni të përkryer malet dhe fushat, lumenjtë, detet dhe liqenet? Cili është ai që e bëri ujin burim të çdo gjallese dhe ajrin aq të rëndësishëm e të pranishëm pikërisht aty ku gjallërojnë gjallesat? Po ashtu dukuritë natyrore: era, shiu, ndryshimi i klimës sipas ndryshimit të relievit, ndryshimi i natës dhe i ditës dhe çdo lëvizje tjetër në natyrë, kush i bëri të veprojnë e të zhvillohen sipas një ligji unik dhe të përpiktë? Logjika jonë do të vendosë pa hezitim se këto dukuri nuk janë produkt i rastësisë, por i Krijuesit të gjithësisë, Allahut të Madhërishëm.

Nga ana tjetër, kur shikojmë përsosmërinë në krijimin e gjallesave, vërtetojmë dijen e plotë, urtësinë dhe përsosmërinë e Krijuesit. Po të vështrojmë me syrin tonë krijesën më të thjeshtë, do të befasohemi në mrekullinë e krijimit të saj. Mendo se ç’mund të thuhet për njeriun që është një qenie tepër komplekse, fizike e biologjike, e për më tepër një qenie me ndjenja dhe arsye?!

Epra, asgjë nuk erdhi vetvetiu, aq më tepër pa një qëllim. Çdo gjë që filloi dhe u krijua, ka ndodhur sipas dijes dhe urtësisë absolute të Zotit Krijues, Allahut të Madhërishëm, i cili thotë: “Mos vallë, menduat se ju krijuam kot dhe nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” El-Mu’minun, 115. Në një verset tjetër Ai thotë: “Ne nuk i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre, për t’u zbavitur! Ne i kemi krijuar ato me qëllim të plotë, por shumica e tyre nuk e dinë.” Ed-Duhan, 38-39.

 

Argumenti i Fitras

Ndër argumentet e shumta që vërtetojnë ekzistencën e Zotit është dhe “fitra” natyrshmëria e pastër, me të cilën njeriu lind. Fitra është pikërisht ajo ndjenjë e natyrshme në brendësinë e njeriut, që e shoqëron atë kudo dhe kurdo për të ndjerë e kuptuar ekzistencën e Krijuesit të tij. Pra, njeriu lind me nevojën që ka dhe që e shpreh herë pas here për Zotin, me besimin 6

tek një qenie e Plotfuqishme që i dha jetën dhe i jep kuptim ekzistencës. Më pas, edukimi familjar, shoqëria dhe rrethi ku njeriu jeton, janë ato që e forcojnë ose e dobësojnë këtë ndjesi të brendshme që e ka çdokush. Fitra, bashkë me arsyen, siç përmendëm më sipër, e bëjnë njeriun të pyesë se pse ekziston, nga erdhi e ku do të shkojë. Të dyja këto janë një shtysë e fuqishme që e bëjnë njeriun jo vetëm të njohë Zotin, por dhe ta kërkojë Atë e të mësojë se çfarë kërkon Krijuesi prej tij. Njeriu në çdo moment ndjen nevojën për Zotin dhe përkujdesjen e Tij dhe këtë ndjesi nuk mund ta fshehë as arroganti, kryeneçi e mendjemadhi i cili, sado të shfaqë mohimin e kësaj ndjesie me arrogancën e tij, i ndodhur në ngushticat e jetës dhe para sprovave të mëdha, do të ndiejë se ka një qenie të Plotfuqishme që mund ta ndihmojë. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Kur njeriun e godet një fatkeqësi, atëherë ai Na lutet shtrirë, ulur ose në këmbë. Por, sapo Ne ia largojmë të keqen, ai vazhdon rrugën, sikur nuk Na ishte lutur për fatkeqësinë që e kishte goditur.” Junus, 12.

 

Fakti historik

Përveç këtyre argumenteve kemi dhe faktin historik që nuk mund të anashkalohet kurrsesi. Askush prej nesh nuk ka jetuar në kohën e Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam), as në kohën e Profetëve të tjerë, por as në kohën e figurave të tjera historike. Mirëpo, ne nuk e vëmë në diskutim ekzistencën e asnjërit nga ata, sepse ne posedojmë dëshmi të shumta për ekzistencën e tyre. Të gjithë ata ishin pajisur me fakte të qarta dhe shumë nga ata me mrekulli, që u nevojitej për të kthyer popujt ku ishin dërguar te besimi i një Zoti të vetëm dhe tek adhurimi i Tij. Nuk do të gjesh asnjë popull dhe asnjë kulturë, sado e hershme që ajo të jetë, ku të mos përmendet ekzistenca e Krijuesit të gjithësisë. Në shumicën e rasteve, popujt e lashtë, çdo gjë që për ta ishte mister, e lidhnin me Zotin, pavarësisht se në shumë raste koncepti mbi Zotin ishte i gabuar dhe i devijuar nga injoranca dhe cytja e shejtanëve. Për shembull, egjiptianët e lashtë që herët besonin se ëndrrat janë mesazh nga Zoti. Besime të tilla kishin dhe popujt e tjerë, si: asirianët, babilonasit, persianët etj.

Të gjitha këto bashkë, janë dëshmi historike që tregojnë se njerëzit, që në fillimet e tyre, kanë pasur kontakt dhe marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Krijuesin, dhe kjo nuk është fryt i fantazisë së njeriut, por një trashëgimi historike e pamohueshme, ashtu siç nuk mund të mohohet ekzistenca e perandorëve, mbretërve dhe sundimi i tyre. Po, është e vërtetë se shumë ngjarje e ndodhi janë të deformuara, madje shumë prej tyre të sajuara ose 7

të pavërtetuara, mirëpo nga e gjithë rrjedha historike e njerëzimit që në lashtësi, dy elementë janë të pamohueshme: Marrëdhëniet dhe kontakti i njerëzve dhe popujve me Zotin, si dhe marrëdhëniet dhe kontakti i njerëzve me dinastitë dhe mbretëritë e njëpasnjëshme. Ashtu siç nuk mund të mohosh këtë të fundit, po ashtu nuk mund të mohosh dot as të parën, që fundja ka qenë dhe vazhdon të jetë elementi kryesor në jetën e njerëzve.

Kështu, pra, ngado që njeriu të vështrojë, brenda vetes dhe jashtë saj, në gjërat që e rrethojnë dhe në rrjedhat historike si dhe në vetë arsyen dhe logjikën e tij, do të dëshmojë se është një krijesë me mangësi, që ka nevojë për Zotin e tij. Gjithashtu, ai do të kuptojë sa i padijshëm dhe sa i pafuqishëm është para dijes dhe fuqisë absolute të Atij që e krijoi.

 

Njëshmëria e Krijuesit

Përveç kësaj, logjika e pastër dhe e shëndoshë kupton se Krijuesi dhe Rregulluesi i kësaj bote është dhe duhet të jetë vetëm një. Nuk është e mundur që kjo gjithësi të ketë më shumë se një Zot, sepse s’mundet që të dy njëherësh të kenë krijuar të njëjtën gjë. Gjithashtu, nuk mund të pranohet si rikrijim diçka e krijuar më herët nga dikush tjetër. Po ashtu, nuk mundet që njëri të krijojë një pjesë dhe tjetri të krijoi pjesën tjetër, sepse diçka që krijoi njëri s’e ka bërë dot tjetri dhe anasjelltas. Kjo do të thotë se çdokush prej tyre është zot në pjesën e tij, pra pjesërisht dhe jo Zot i Plotë dhe Universal. Egjithë kjo çon në rivalitet mes tyre, ndërkohë Zoti i vërtetë është ai që nuk ka shok dhe as rival. Allahu në Kuran thotë: “Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin. I lavdëruar qoftë Allahu.” El-Enbija, 22. Në një verset tjetër Ai thotë: “Përveç Atij s’ka asnjë zot tjetër, përndryshe çdo zot do të merrte atë që ka krijuar dhe do të ngriheshin njëri mbi tjetrin. Qoftë i Lartësuar Ai nga shpifjet e tyre!” El-Mu’minun, 91

 

Shkëputje nga libri “Udhërrëfyesi Islam” me autor: Mustafa Tërniqi

Nuk lejohet ripublikimi i këtij artikulli pa leje nga IFVLHSH ose vet autori.

Publikuar me leje paraprake nga Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë: www.lidhjahoxhallareve.com

Burimi eletronik: www.FejaeVertete.com