“Feja e vërtetë” – Pse ky emër?

Përse zgjodhëm emrin “Feja e vërtetë”?

 

Shumëkush mund të pyesë:

  1. Pse pikërisht ky emër, keni ndonjë qëllim të caktuar apo vetëm kuturu?
  2. Si e arsyetoni këtë emër dhe si e argumentoni atë që shprehni përmes tij?
  3. Nëse Islami është feja e vërtetë, atëherë si e argumentoni pavërtetësinë e feve tjera?

 

Këtyre tri pyetjeve do t’u përgjigjemi si më poshtë:

  1. Emri nuk është vënë me hamendje e as nga mosdija apo kuturu, por më një qëllim të caktuar; e vërteta është vetëm një, secili pretendon se ai është në të vërtetën por kush vërtet qëndron në të do të sqarohet më poshtë.
  1. Fetë janë përjashtuese të njëra-tjetrës; çdo fe thotë për vetën se është e vërteta dhe për tjetrën se është e kotë (e papranuar). Ky emër duket pak sa sfidues ngase që në fillim shpreh se vetëm Islami është feja e vërtetë dhe nuk ka fe tjetër të vërtetë. Si e argumentojmë këtë?

 

  • Argumente fetare:
  • Allahu në Kuran thotë: “Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami. Ata që u është dhënë Libri, patën mospajtime nga zilia që kishin midis tyre, vetëm pasi u erdhi dituria. Por kushdo që i mohon udhëzimet e Allahut, ta dijë se Allahu është i shpejtë në llogari.” (Kaptina 3, citati 19), dhe thotë: “…Nëse e pranojnë Islamin, atëherë kanë gjetur udhën e drejtë. Por, nëse refuzojnë, detyra jote është vetëm që t’ua përcjellësh dijen. Allahu i vrojton robërit e Vet.” (Kaptina 3, citati 20). Si dhe citate të shumta në të cilat theksohet qartë se Zoti ka zbritur për njerëzimin vetëm një fe dhe atë e quajti Islam (nënshtrim vullnetit të Zotit), ndërsa fetë që sot janë në mesin e njerëzve nuk janë gjë tjetër vetëm se shtrembërim i fesë që kishin (të zbritur nga Zoti) ose shpikje të reja “Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij; po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë myslimanë të nënshtruar ndaj Atij!”.

 

  • Argumente logjike:
  • Mrekullia e Kuranit, i cili është në përputhje të plotë me shkencën e vërtetuar dhe me natyrën njerëzore, aktual në çdo kohë dhe sfidues i tërë njerëzimit në çdo aspekt. Shumë gjëra që nuk mund t’i ketë ditur një arab i pashkolluar analfabet të cilat sot janë zbuluar nga shkenca moderne nuk dëshmojnë asgjë tjetër vetëm se faktin se Kurani është fjalë e Zotit, zbritur Profetit Muhamed përmes Engjëllit besnik.
  • Askush deri më sot nuk ka mundur të kundërshtojë vërtetësinë e Kuranit i cili është mrekulli e pashterur e të gjitha kohërave, sfida është e hapur…
  • Nëse kuptuam se Kurani është po ai që i zbriti Profetit, atëherë na mjaftojnë argumentet nga Kurani të cilat u përmendën me lartë!
  • Nëse Kurani nuk është i saktë, atëherë kush është me i saktë se ai, ndërkohë që për Biblën (Dhiatën e Re dhe të Vjetër) edhe vet dijetarët e tyre deklarojnë se është e ndryshuar dhe se nuk kanë asnjë kopje të origjinalit të tij, madje as kopjen e kopjes së kopjes, e as të gjuhës në të cilën ishte në fillet e tij.

 

  • Argumente nga natyrshmëria e pastër. Çdo gjë në Kuran pajtohet plotësisht me natyrshmërinë e pastër të njeriut ku mund t’i veçojmë disa pika:
  • Koncepti i Zotit; Ai është një dhe i vetëm, absolut i Plotfuqishëm, jo i krijuar, i pari pa fillim dhe i fundit pa mbarim, i Lartësuar dhe i papërzier me krijesat e Tij. I cili ka atributet e përkryera të cilat i besojmë ashtu siç janë përmendur në Kuran dhe Hadith pa i mohuar, pa i shtrembëruar, pa i komentuar dhe pa i formësuar ato. Ky koncept i pastër për Zotin nuk është në asnjë fe tjetër dhe përputhet me natyrshmërinë e pastër që gjendet në çdo njeri.
  • Nëse njeriu izolohet nga ndikimet e jashtme dhe mbyllet i vetëm jashtë larg krijesës së quajtur “njeri” duke menduar dhe medituar se kush është ai, nga ka ardhur dhe ku do të shkojë, atëherë kjo patjetër se do të rezultojë me besimin e një Zoti të vetëm ashtu siç njihet Ai në konceptin islam.

 

  • Argumente historike:
  • Kaluan mbi 1400 vjet dhe askush nuk erdhi pas Muhamedit (paqja qoftë mbi të) më pretendimin se është profet e ta ketë me vete një libër siç është Kurani, ose pasues siç janë muslimanët, ose ndikim siç ka Islami. Kishte dhe ka shumë nga ata që pretendojnë profetësinë por u mungojnë ato që kishin profetët; mrekullitë, librat dhe ndikimin. Ndërkohë që para tij kishte shumë profetë të cilën erdhën me mrekullitë e tyte, librat dhe ndikimin e tyre te njerëzit edhe nëse nuk kishin shumë pasues.

 

  1. Para se te sqarojmë pavërtetësinë e feve tjera duhet të sqarojmë se me fjalën pavërtetësi nuk kemi për qëllim fenë e zbritur Profetëve si p.sh. Teurati Musait, Inxhili Isait, por kemi për qëllim ajo që sot gjendet në mesin tonë e cila është një përzierje mes të vërtetës dhe asaj që është shtuar dhe shtrembëruar aty nga dora e njeriut.

 

Pavërtetësia e feve tjera vërtetohet (shkurtimisht) me:

  • Vërtetësinë e Islamit.
  • Shtrembërimin e librave qiellorë dhe gabimet e shumta në to.
  • Mos ekzistenca e referencës dhe zinxhirit të transmetimit.
  • Kundërshtimi i teksteve mes vete brenda një libri të caktuar (Dhiata e Re dhe Dhiata e Vjetër).
  • Nevoja për ta rikontrolluar dhe ripërmirësuar Biblën.

 

  • Me këtë emër nuk kemi për qëllim ofendimin e askujt e as të shprehim revolucion ndaj pjesëtarëve të feve tjera, përkundrazi; deklarojmë se debati për fenë është i hapur dhe se ne me plot bindje theksojmë se vetëm Islami është feja e vërtetë ku përmes shkrimeve tona në forma të ndryshme e argumentojmë një gjë të tillë.
  • Do të jemi çdoherë të hapur për biseda dhe debate me njerëz të mençur dhe konstruktivë të cilët në formë të butë dhe paqësore kërkojnë t’ua paraqesim argumentet tona për këtë që pohojmë.

 

Objektivat kryesore të faqes “FejaeVertete.com” janë:

  • Vetëdijesimi i shqiptarëve mbi rëndësinë e besimit.
  • Thirrja e njerëzve në të besuarit e një Zoti të vetëm.
  • Sqarimi i faktit “Zoti është një, andaj edhe rruga që të çon tek Ai duhet të jetë një”.
  • Përgjigjja në pyetjen: “Cila është feja e vërtetë?”.
  • Përgjigjja në pyetjen: “Pse Islami – feja e vërtetë?”.
  • Përgjigjja në pyetjen: “Nëse Islami nuk është feja e vërtetë, atëherë cila duhet të jetë?”.
  • Krahasimi i ndërmjet feve.
  • Zbërthimi i kundërthënieve brenda fesë (përveç Islamit).
  • Përmbledhja e informacioneve enciklopedike për besime të ndryshme dhe filozofinë.
  • Përgjigjja në pyetjet: “Pse dhe si të bëhem musliman?”.
  • Sqarimi i detajuar i besimit islam i klasifikuar në gjashtë shtyllat e besimit.
  • Sqarimi i detajuar i devijimeve të grupeve dhe fraksioneve të devijuara (islame dhe jo-islame)
  • Kundërshtimi i argumentuar i filozofisë së vjetër greke dhe të gjitha ideologjive filozofike bashkëkohore që sot janë të ndara në dhjetëra emra të ndryshëm.
  • Kundërshtimi i argumentuar i ideologjive filozofike bashkëkohore politike, ekonomike dhe shoqërore.
  • Përmbledhja e rrëfimeve të vërteta të pranimit të Islamit nga e gjithë bota.
  • Dhe shumë të tjera…

 

Përgatiti: Liridon H. Tërstena

(student në lëmin e akides pran universitetit “King Saud” në Rijad të Arabisë Saudite)